Site icon Telegrafi

IKSHPK me dy aparatura të reja, kapaciteti i testimit për COVID-19 do të rritet deri tri herë më shumë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik sot është bërë edhe me dy aparatura për kryerjen e testeve PCR për COVID-19, ndërsa pritet që kapaciteti i testimit të rritet deri në tri herë më shumë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se tash do të shtohet numri i testeve brenda 24 orëve.

Lexoni të plotë postimin:

“Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, nga sot, janë shtuar edhe dy aparatura për kryerjen e testeve PCR, për COVID-19. Lajm i mirë është se kapaciteti i testimit do të rritet deri tri herë më shumë se deri tani.

Pas angazhimit të vazhdueshëm për shtimin e numrit të pajisjeve për testim, u arrit qëllimi. Tash shtohet edhe numri i testeve brenda 24 orëve.

Këto dy aparatura janë donacion nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Jemi të bekuar me miqësinë e donatorëve. Donacion tepër i çmueshëm në kohë pandemie”.

Ndryshe, në Kosovë aktualisht numri total i rasteve pozitive është 15.938 raste nga 71.865 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 638 raste të vdekjes.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 14.143 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.157. /Telegrafi/

Exit mobile version