Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP) ka apeluar që të mos vritet Ariu i Murrmë i Prizrenit.
Reagimi i IKSHP vjen pasi Inspektorati i Agjencionit të Pyjeve, ka dhënë autorizim për vrasjen e një ariu që po shkakton dëme në rajonin e Prizrenit dhe një gjë e tillë pritet të bëhet brenda 15 ditëve.
Përmes një postimi në Facebook – ky institut bën thirrje që të mos vritet edhe ariu i shumëkërkuar.
Më tej thuhet se duke ruajtur kafshët, ruajmë natyrën dhe mjedisin ku jetojmë.
Postimi i plotë i IKSHP:
“Ruani kafshët!
Ruani ariun!
Ruani natyrën!
Ruani mjedisin ku jetoni!
E keni ruajtur ekosistemin dhe shëndetin tuaj!”, ka apeluar ky institucion përmes Facebookut.
Kundër vrasjes së ariut ka dalë edhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë (AMMK).
Sipas kësaj agjencie ariu është kafshë në mbrojtje të ligjit të natyrës, dhe se do të paditet çdo institucion i cili vret një kafshë të mbrojtur nga ligji.
Ndaj vendimit për vrasjen e Ariut të Murrmë kanë reaguar edhe institucione e personalitete të shumta. /Telegrafi/