Është duke ndodhur një skandal diplomatik në mes Maqedonisë dhe Serbisë dhe si rezultat i kësaj ngriten shumë dilema për arsyen kryesore të këtij ndryshimi të kursit në mes dy shteteve që deri para disa muajve vlerësoheshin si vëllezër.
Deri tani ka disa teza që janë përmendur nga mediat e të dyja vendeve.
Si tezë e parë që u përmend ishte: Iniciativa e Maqedonisë që të rinisë debatin në UNESCO për anëtarësimin e Kosovës. Kjo thuhet se i ka nervozuar serbët.
Teza tjetër e ngritur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq thotë se Maqedonia nëpërmjet shërbimit të intelegjencës ju është bërë presion diplomatëve serb në Maqedoni.
Por, a duken këto si të besueshme?
Deklarata e fundit e Vuçiq për këtë problem ngrit dyshime.
“Do të ketë disa ndryshime në personel në mënyrë që të mbrojmë miqësinë me Maqedoninë dhe të mësojmë si të sillemi me mjedisin e ri. Ka shumë spekulime, por theksoj se ditëve në vijim gjithçka do të sqarohet”.
Nuk duhet harruar Goran Zhvilajeviq, agjentin e BIA-s serbe!
Zhvilajeviq është agjent serb që ka vepruar në Maqedoni në kohën e sulmit në Kuvend nga protestuesit e dhunshëm që sulmuan deputetë dhe gazetarë më 27 prill.
Oficeri i BIA-s kishte hyrë në Parlament bashkë me turmën e protestuesve në orën 20, ndërsa brenda kishte qëndruar derisa kishte përfunduar skenari për rrahjen e deputetëve, madje edhe tentimin për vrasjen e deputetit Ziadin Sela, i cili nga huliganët maqedonas, u la si i vdekur në hollin e katit të parë të Parlamentit.
Nga qëndrimi i Zhvilajeviq në Kuvend dhe nga deklarata e Vuçiq se ”duhet pastruar personeli i ambasadës” fillojnë dyshimet për vërtetësinë e ikjes së diplomatëve serb nga Maqedoni. /Telegrafi/