Xhudistja shqiptare me famë botërore, Majlinda Kelmendi do të ketë statujë të saj të bronztë.
Kështu së paku gjatë ditës së djeshme ka konfirmuar trajneri i xhudistes pejane, Driton Kuka, i cili është një ndër meritorët që garuesja ka fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike në Rio de Janiero.
Edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi ka reaguar përmes rrjeteve sociale duke e konsideruar si lajm të mirë vendimin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.
“Është lajm shumë i mirë, vendimi nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, për ta nderuar me statujë bronzi ikonën e xhudos kosovare e ndërkombëtare, Majlinda Kelmendi”.
“Si ministër, e mirëpres bashkëpunimin me Majlinda Kelmendin e Driton Kukën si dhe me autoritetet qendrore e lokale për të përcaktuar vendin e përshtatshëm për vendosjen e statujës”.
“Dua të falënderoj drejtuesit e IJF-së me në krye Marius Vizer për këtë vendim të qëlluar dhe i përgëzoj Majlindën, Dritonin dhe tërë ekipin e tij për këtë mirënjohje nga IJF-ja, një dëshmi kjo për suksesin, arritjet e traditën tashmë të krijuar të Xhudës në Kosovë”, ka shkruar ministri në llogarinë personale në Facebook. /Telegrafi/