Site icon Telegrafi

Idrizi: Të verifikohet sa më shpejt statusi i viktimave të dhunës seksuale, gjendja e tyre nuk është e mirë

Valdete Idrizi – Aktiviste dhe Këshilltare e kryetarit të Kuvendit,  ka thënë se dhunimi seksual është krim dhe si i tillë duhet të trajtohet nga shoqëria.

Ajo në emisionin “Përballje” me Muhamet Hajrullahun që transmetohet në RTV Dukagjini ka thënë se është pozitive fakti që tashmë është institucionalizuar problemi i këtyre femrave të dhunuara.

Idrizi ka thënë se procedura e shqyrtimit të aplikacioneve duhet të lëvizë më shpejt, pasi edhe gjendja shëndetësore e viktimave nuk është e mirë.

“Javën e kaluar takova një grup të këtyre të mbijetuarave të dhunës seksuale, dhe gjendja shëndetësore e njërës prej këtyre grave, ishte shumë e rënduar, ajo po priste disa muaj për të marrë përgjigje pas dorëzimit të aplikacionit”, u shpreh Idrizi.

Këshilltarja e kryetarit të Kuvendit, ka thënë se procesi i veteranëve të luftës ka qenë mjaft i dhimbshëm, dhe tash, verifikimi i viktimave të dhunës seksuale ndoshta është bërë dyfish më i kujdesshëm për t’i evituar lëshimet e veteranëve.

“Vetëm duhet pasur parasysh, sepse ky pension nuk është i transferueshëm e as i trashëgueshëm”, tha ajo.

Idrizi ka thënë se disa nga viktimat nga ajo që e kanë përjetuar kanë pësuar edhe plagë të mëdha fizike, dhe atyre tash u duhet edhe trajtimi shëndetësor pa pagesë.

“Fatkeqësisht ligji nuk i parasheh shërbimet shëndetësore falas brenda vendit, për këto viktima”, deklaroi më tej Valdete Idrizi./Telegrafi/

Exit mobile version