Telegrafi

Idrizi: Kosova gjithqysh duhet ta fillojë me fitore

Kosova e ka mbajtur stërvitjen e fundit në Kampin Nacional në Hajvali para udhëtimit për në Qipro, ku ka folur mesfushori Blendi Idrizi.

Më 2 qershor Kosova do ta luajë ndeshjen e parë të edicionit të ri në Ligën e Kombeve.

Idrizi u shpreh optimist se ndeshjet e muajit qershor do t’i nisim me rezultat pozitiv.

“Presim gjithqysh fitore kundër Qipros. Kemi stërvitur shumë mirë deri tash. Dje ishte stërvitja mjaft e mirë dhe intensive, derisa sot më shumë ishte rigjenerim”.

“Presim që në Qipro të bëjmë një lojë shumë të mirë. Është loja e parë dhe duhet të fitojmë sepse është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë tonë në ndeshjet e tjera”, ka thënë Idrizi.

“Forma e mirë e lojtarëve në klubet e tyre është shumë e rëndësishme sepse atë kualitet ata e sjellin edhe në kombëtare”, ka shtuar Idrizi, i cili pret që në dy ndeshjet në shtëpi kundër Greqisë dhe Irlandës së Veriut të kenë mbështetjen maksimale të tifozëve “Dardanët”.

Ekspedita e Kosovës niset për në Larnaca, të mërkurën në mëngjes./Telegrafi/