Trepça ’89 dhe Gjilani kanë ndarë pikët në përballjen interesante në “Riza Lushta”.
Ndeshja e xhiros së 13-të në Albi Mall Superligë, u mbyll me barazim 1-1.
Mysafirët kishin epërsinë numerike përgjatë pothuajse tërë ndeshjes, por nuk arritën të kthehen në Gjilan me pikët e plota.
Lulzim Peci u ndëshkua me karton të kuq në minutën e tetë pas ndërhyrjes së ashpër në Përparim Osmanin.
Trajneri i ‘89-shit, Shpëtim Idrizi tha se ishin përgatitur mirë për këtë ndeshje, por planet u prishën pas kartonit të kuq.
“Jemi përgatitur jashtëzakonisht mirë për ndeshjen ndaj Gjilanit. Por u prishën planet me largimin me të kuq. Ndryshoi rrjedha e lojës. Gjithsesi duhet t’i përgëzoi lojtarët për angazhimin dhe karakterin”.
“Nuk u ndalën asnjëherë dhe krijuam shumë raste. Barazimi është real në bazë të kushteve që u krijuan për skuadrën tonë”, ka thënë Idrizi. /Telegrafi/