Telegrafi

Identifikohen një mal problemesh në sistemin e arsimit

Një mal problemesh kanë përcjellë sistemin e arsimit parauniversitar në Kosovë që nga paslufta e të cilat janë përshkruar në Draft-planin Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017-2021 (PSAK), të hartuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ dhe bashkëpunëtorë të tjerë të jashtëm.

Për përmirësimin e kësaj gjendjeje aty janë përmendur prioritetet në qasjen ndryshe ndaj problemeve, që duhet ta zbatojnë institucionet qeverisëse, shkollat dhe mësimdhënësit, shkruan sot Koha Ditore.

Plani strategjik ka identifikuar disa fusha në të cilat duhet vënë foksi për ndryshime, siç është pjesëmarrja dhe gjithëpërfshirja, menaxhimi i sistemit arsimor, sigurimi i cilësisë, zhvillimi i mësimdhënësve, përmirësimi i mësimdhënies dhe të nxënit, zhvillimi i arsimit profesional dhe arsimit të të rriturve.

Në Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë (PSAK) përmendet se me gjithë faktin që bartja e autorizimeve në fushën e arsimit nga niveli qendror në atë lokal ka ndodhur në vitet 2008 dhe 2009, deri sot nuk është arritur që të gjitha komunat të ndërtojnë kapacitete për t’i përmbushur detyrimet e tyre në këtë fushë.