Policia e Shtetit ka njoftuar se është finalizuar faza e shtatë e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”.
Në operacion thuhet se kanë marrë pjesë 100 forca policore të Komisariateve të Policisë së Shkodrës, Vau i Dejës dhe Malësi e Madhe, si dhe gjashtë dronë.
“Gjatë kontrollit masiv të territorit, në të gjithë qarkun janë evidentuar me anë të dronëve dhe goditur gjashtë raste të kultivimit të bimëve narkotike”, thuhet në njoftimin për media.
Po ashtu, bëhet e ditur se janë gjetur dhe asgjësuar në total tre mijë e 491 bimë narkotike cannabis sativa.
“Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në këto veprimtari. Shërbimet e DVP Shkodër dhe të Komisariateve në varësi të saj, në zbatim të detyrave dhe planit operacional për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe prodhimit të narkotikëve, kanë intensifikuar kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.
Në kontroll janë angazhuar 100 punonjës policie të cilët kanë përdorur 6 dronë të Policisë, për kontrollin e zonave malore”, ka thënë tutje policia.
Nga bimët narkotike të sekuestruara janë 304 në Pult dhe Theth, në Shkodër janë 1 mijë e 21 bimë në fshatin Rrapsh, Malësi e Madhe, 2 mijë e 166 bimë në fshatrat Shllak dhe Temal, Vau i Dejës.
“Megaoperacioni policor antikanabis ‘Alpe të pastra’, vijon. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore”. /Telegrafi/