Partitë opozitare kanë marrë një mbështetje të madhe në kauzën e tyre për çështjen e demarkacionit.
Njëri nga ministrat më të zëshëm në kohën e qeverisjes Thaçi e që vazhdon të jetë pjesë e kabinetit, Mustafa, Hajredin Kuçi, i ka dhënë mbështetje qëndrimit të tyre se marrëveshja për demarkacionin duhet të rishikohet edhe një here ose të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar.
Këto vlerësime, Kuçi thotë t’i ketë dhënë jo në cilësinë e ministrit dhe as të nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, por në cilësinë e profesorit të së drejtës ndërkombëtare.
I kontaktuar nga Tribuna Channel, ministri i Drejtësisë ka thënë se komentet i ka bërë në cilësinë e profesorit universitar.
“Unë si profesor jam deklaruar aty dhe ky është qëndrim profesional”, ka thënë Kuçi.
Ai ka refuzuar të përgjigjet kur është pyetur se a do të insistoj qe këto propozime t’i shtyjë përpara edhe në Qeveri.
Këto propozime të Kuçit nuk gëzojnë mbështetje në partinë e tij. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Adem Grabovci, thotë se kjo çështje duhet sa më parë të procedohet për ratifikim në Kuvend.