Site icon Telegrafi

Ideja e çmendur për El Clasicon, të zhvillohet brenda kampionatit në Kinë ose SHBA

‘El Clasico’ mes Real Madridit dhe Barcelonës mund të luhet në Pekin apo Nju Jork dhe nuk bëhet fjalë për një ndeshje miqësore, por për një sfidë të kampionatit.

Ky mendim është hedhur nga e përditshmja financiare Financial Times, sipas së cilës, drejtuesit e Ligës Spanjolle po e studiojnë seriozisht mundësinë që një pjesë e ndeshjeve të kampionatit të luhen jashtë kufijve të Spanjës, me Kinën dhe SHBA që duken shtetet e preferuara.

“Duam që të rrisim reputacionin tonë në arenën ndërkombëtare. Po diskutojmë për mundësinë që disa ndeshje të kampionatit të luhen jashtë Spanjës. Sigurisht, është vetëm fillimi, por La Liga e mbështet këtë ide”, mësohet të ketë deklaruar Presidenti i La Ligës, Javier Tebas.

Në fakt, Reali i Madridit dhe Barcelona këtë verë luajtën mes tyre në Majemi në kuadër të International Champions Cup, një sfidë kjo që solli në shkallët e impiantit 66 mijë shikues, pa harruar këtu audiencën televizive.

Për momentin, Liga Premier është kampionati më i pasur me rreth 5 miliardë euro të ardhura të siguruara në sezonin 2015/2016, shifër kjo që është dy herë më e lartë se ajo që ka arkëtuar Liga Spanjolle, me këtë të fundit që po kërkon të shfrytëzojë akoma më shumë prezencën e Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit.

Ndërkaq, duhet theksuar se drejtuesit e La Ligës nuk janë të parët që e kanë hedhur idenë e të luajturit të disa ndeshjeve jashtë vendit. Më parë, ishte Liga Premier që e vlerësoi këtë mundësi pikërisht në vitin 2008, por që u detyrua të heqë dorë  për shkak të kontestimit nga ana e tifozëve, politikës dhe medias.

Exit mobile version