Ultrasit e Interit kanë kërkuar nga tifozët e klubit që të mos e brohorasin emrin e Mauro Icardit, ndërsa sulmuesi ka reaguar duke publikuar një video në Instagram, në të cilën dëgjohet i gjithë stadiumi duke bërtitur emrin e tij.
Raportet e kapitenit të Nerazzurrëve dhe tifozëve ultras u çrregulluan në sezonin e kaluar, kur u publikua libri i argjentinasit, në të cilin ai i kritikonte ultrasit.
“Nuk ka brohoritje për Icardin”, është kërkesa e Curva Nord për tifozët e tyre.
“Njësoj si me secilin lojtar tjetër, ata nuk meritojnë asgjë. Kur Icardi apo dikush tjetër shënon, brohoritni për Interin. Ne e lartësojmë këtë fanellë, jo këta njerëz mediokër”.
“Kur folësi ta njoftojë formacionin, shmangni brohoritjen e emrit të atij argjentinasi të poshtër”, thuhet më tej në kërkesën e ultrasve të Interit.
Natyrisht se reagimi i Icardit me publikimin e videos, ku Stadio Giuseppe Meazza thërret emrin e tij pas golit, do t’i ashpërsojë akoma më shumë marrëdhëniet mes sulmuesit dhe ultrasve. /Telegrafi/