Nga: Haqif Mulliqi
Nuk do të ketë ekzistuar një kohë tjetër në historinë e dramës botërore një personazh me një vullnet aq të paepur dhe aq të vendosur për të vdekur, siç është rasti i Hedda Gablerit, në dramën me të njëjtin titull të Henrik Ibsenit i cili, në këtë dramë e skicoi një portret të përciptë dhe të pamëshirshëm të një gruaje të zhgënjyer të epokës në të cilën jetoi dhe veproi edhe vetë ai. E hipnotizuar nga sipërfaqja e shndritshme e pistoletave të saj, Hedda, kryepersonazhja e kësaj drame ecën, hap pas hapi, drejt vdekjes, duke refuzuar njëkohësisht të gjitha “ofertat që mori” nga jeta. Në këtë pikë, pyetja më kryesore që mund të shtohej nga Ibseni, në fakt, ishte ajo se: çfarë mund të jetë lumturia e një njeriu? Hedda e Ibsenit kryen një vrasje foshnjore – djeg fshehurazi dorëshkrimin e librit të madh të ish-dashnorit të saj, të cilin ajo e quajti asgjë më shumë se “fëmija im”, dhe vret veten duke u qëlluar me një plumb, e pamëdyshur fare.
Mospërmbushja e një gruaje
Në këtë dramë, sikundër edhe në dramat e tija të tjera, Henrik Ibseni asnjëherë nuk pohoi epërsinë dekadente të të vdekurve mbi të gjallët; ndërsa, në vend të shenjave “më shumë” ose “më pak”, ai e vendosi shenjën e ekuivalencës.
“Hedda Gabler”, është dramë në katër akte e krijuar ndër të fundit të epokës krijuese të Ibsenit, pra në fazën e tij të fundit krijuese, por, me kalimin e kohës ajo arriti në vetë kreun e letërsisë dramatike botërore. Tema e dramës “Hedda Gabler” është mospërmbushja e një gruaje. Problemi i Heddas zhvillohet në sferën e jetës emocionale që na shpërfaqen përmes personazhit të Heddas, e që ndërtohet përmes ndërthurjes kryesore të veprës.
Nevojat e kësaj bote njerëzore: statusi material, seksi dhe karriera janë elementë që Hedda Gablerin e lëvizin në një rreth vicioz të mospërmbushjes dhe pakënaqësisë së saj kronike. Asaj i mungon harmonia dhe bukuria e jetës së brendshme, dhe mbi të gjitha ambicia për ta parë veten objektivisht në atë shoqëri. Sipas një poetike të shkruarit të dramave të Ibsenit, “Hedda Gabler” është një lloj vazhdimësie, por edhe një parafrazë e dy dramave tjera të Ibsenit Shtëpia e kukullës dhe Shtyllat e Shoqërisë, si një drama mbi zhgënjimin e një gruaje ambicioze e cila është “në luftë” me “superioritetin” e botës mashkullore në shoqërinë skandinave. Për këtë arsye, është e qartë se ballafaqimi i Ibsenit me fenomenin e gruas, edhe në këtë vepër, është kompleks dhe zhvillohet brenda kornizave universale dhe të përjetshme.
Por, pyetja të cilën duhet ta shtrojmë në fillim të vetë kësaj drame është ajo se: kush është, në fakt, Hedda Gabler?
Hedda Gabler është një heroinë e kohës së saj, e guximshme, por edhe e pabindur, paçka se ngulë këmbë që të ngjitet në shkallët më të larta shoqërore. Ajo, në fakt, është një grua që e percepton të bukurën pak më ndryshe se sa gratë tjera. Gjithashtu na e lë përshtypjen se ka dëshirë që të luaj me jetën e të tjerëve, por edhe me jetën e saj, me qëllim që ti sendërtojë qëllimet e larta që ia ka përcaktuar vetes, gjë që i ndihmon, pa masë, veprimit në dramën shumë të njohur të Ibsenit. Padyshim se, këto që u thanë, e bëjnë këtë dramë një vepër të bukur dhe tejet interesante ku veprimi zhvillohet përmes një personazhi me tipare të pazakonshme që e fuqizon dinamikën e ngjarjes.
Në momente të caktuara ne mund ta gjejmë se Hedda mund të jetë edhe një grua e matur, mjaftë e ekuilibruar për çastin por, në momentin tjetër, ajo mund të shndërrohet në një grua cinike dhe tmerrësisht të pakënaqur me jetën dhe fatin e saj. Në fondament ajo e lë përshtypjen se sikur kënaqet kur ia del që të shkatërrojë jetët e njerëzve të tjerë, paçka se këtë nuk e thotë, asnjëherë, decidivisht. Me pak fjalë, Hedda është ai lloj i personit që dikush nuk do të kishte dëshirë ta kishte as në mesin e armiqve, e edhe më pak në mesin e miqve.
Hedda është vërtet e rrezikshme, por mendojmë se nëse do të mund ta drejtonte energjinë e saj drejt krijimit dhe dashurisë ndaj të tjerëve, sigurisht se do të mund të arrinte shumë në jetën e saj. Kjo do të ndodhte sikur Hedda do të kishte lindur ose në kohën tonë ose si burrë në kohën kur e krijoi Ibseni me çfarë, fati i saj, në asnjë mënyrë nuk do të kishte një përfundim aq tragjik saç e ka vërtetë.
Jeta e një personazhi si Hedda e dëshmon se sa e vështirë është që njeriu të marrë vendime të pazakonshme, por është edhe më e vështirë që ai t’i pranojë pasojat e vendimeve të veta. Kjo na e kujton atë sentencën se njeriu do t’i shpaguaj të gjitha ato që i ka bërë në këtë jetë dhe se nuk do ta marrë asgjë me vete në tjetrën botë. Ndaj është e vështirë të gjenden njerëz të lumtur në këto çështje.
Hedda Gabler, gruaja që ëndërron ndjenja të larta
Zilia, tradhtia, hipokrizia, indiferenca dhe mirëkuptimi – lista e mëkateve të heronjve mund të vazhdojë pafundësisht në jetën e njerëzve, pra edhe në atë të Hedda Gablerit. Neve na duket disi e çuditshme, që askush në dramën Hedda Gabler të Henrik Ibsenit, nuk e vlerëson vërtetë veten e vetë aq sa do të duhej.
Hedda, si një grua e re dhe e bukur (ajo është vetëm 29 vjeçe) martohet pothuajse me personin e parë që takon (Tesmanin), i cili i bëri shenjë me një lloj perspektive të paqartë (fakti që ajo nuk ka absolutisht asnjë ndjenjë për të, mendojmë se bëhet fjalë për një lidhje të kotë bashkëshortore).
Hedda Gabler përgjatë gjithë dramës na e lë përshtypjen e gruas që ëndërron ndjenja të larta dhe e cila është e bindur se mund të ndërmarrë veprime vendimtare jo vetëm për vetën e saj, por edhe për të tjerët rreth saj, pavarësisht nga fakti se është e rrethuar tërësisht nga një botë (sipas vizionit të saj): “qesharake dhe vulgare”, në të njëjtën kohë, apo edhe një shoqëri intrigante dhe ziliqare ndërsa u martua pas një llogaribërjeje të pakuptueshme dhe naive? Ndoshta, këto llogaribërje, mund t’i dilnin të sakta, por jeta e përbashkët familjare atë e bindi shumë shpejt se realiteti është diçka krejtësisht e kundërt nga llogaribërjet e tilla kuturu dhe hipotetike. Kjo është ajo që e bënë Heddan të shtiret dhe të duket se po mashtron të tjerët, por, megjithatë, ne e ndjejmë se ajo më së shumti e mashtron veten e saj. Asaj, thuaja se, çdo gjë i duket të jetë diçka e shpifur, ndaj dhe është gati të shpërthejë në çdo çast për t’u hedhur të tjerëve të vërtetën para hundës. Hedda, gjithashtu, duket se është mërzitur nga njerëzit e zakonshëm dhe marrëdhëniet gjysmake me ta. Por, dëshira për t’u vetëvrarë këtu na sugjeron çrregullimin mendor të saj. Është e tmerrshme të futesh në turp me njerëz të tillë.
Duke e shkruar Hedda Gablerin, besojmë se qëllimi parësor i Ibsenit do të ketë qenë që ta shkruante një dramë që do të përqafonte shpirtin e kohës në Evropë dhe ta lëshojë atë me një nismë të menduar me kujdes në treg. Nisur nga fakti se për botëkuptimet e Henrik Ibsenit është i rëndësishëm edhe vetë mendimi i tij për detyrën e një poeti dramatik. Lidhur me këtë do të paraqesim këtu pjesë nga një bashkëbisedim i tij i njohur me studentët gjatë një vizite në vendin e tij, në Norvegji.
Çfarë do të thotë të jesh poet dramatik, pyet vetë Ibseni me atë rast. E kam kuptuar prej kohësh që të jesh poet i tillë në thelb do të thotë të shohësh, por në atë mënyrë që ajo e cila është e paparaqitur aty të jetë e atillë që edhe publiku ta shikojë në atë mënyrë në të cilën e ka parë edhe poeti. Ngase, vetëm ajo që përjetohet mund të shihet në një mënyrë të tillë dhe të pranohet në një mënyrë të tillë. Dhe sekreti i letërsisë moderne qëndron pikërisht në këtë problem të përvojave që janë jetuar. Gjithçka që kam shkruar në këto dhjetë vitet e fundit, e kam përjetuar me shpirt … Poeti nga natyra është largpamës. Ndaj dhe kurrë nuk e kam parë vendin tim kaq plotësisht, kaq qartë dhe kaq afër dhe jetën e tij të vërtetë si gjatë mungesës sime, ndërsa unë isha larg tij.
Është shumë e vlefshme për studimin e personalitetit të Henrik Ibsenit dhe të veprës së tij dramatike, ekzistenca e shënimeve nga trashëgimia e tij dhe disponueshmërinë e tyre për inspektim publik. Për ndërtimin e një personazhi dramatik, Ibsen shkruan:
Para se të shkruaj një fjalë të vetme, duhet ta kem personazhin në kokën time deri në fund. Duhet të depërtoj deri në palcën e fundit të shpirtit të tij. Nis gjithmonë nga individi; skenografi, ansambli dramatik, dhe të gjitha këto vijnë krejtësisht natyrshëm … Por duhet të kemi parasysh pamjen e tij, deri në detajin e fundit, si qëndron, si ecën, si sillet, si është zëri i tij … Dhe pastaj më, nuk e lë të më ikën, derisa të përmbyllet fati i tij.
Henrik Ibseni i draftoi disa nga dramat e tij disa herë, ndërsa, vetë ai e tregon se në çfarë procesi i krijoi ato.
Sipas një rregulli unë i bëjë tre skica për dramën time, ndërsa ato, ndërmjetveti dallojnë shumë në karakterizim e jo në veprim, thotë H. Ibseni. Kur t’i qasem skicimit të parë të materialit, e ndiej se i njoh personazhet e mija në atë masë në të cilën njerëzit njihen ndërmjet veti derisa udhëtojnë me tren, kur takohen dhe bisedojnë për diçka. Në skicën vijuese, shton ai, çdo gjë e shikoj më qartë; i njoh personazhet për aq sa njerëzit mund të njihen pas qëndrimit një javor në banjë; i njoh linjat themelore të karaktereve të tyre dhe të metat e tyre të vockla, porse, megjithatë, serish mund të gabojë në ndonjë gjë që është thelbësore. Në skicën e fundit, më në fund, arrij deri tek kufiri i njohurive; i njoh personazhet e mija si të njohur të mijtë të afërm dhe të moçëm, ata janë miq të mijë të afërm, të cilët asnjëherë nuk do të më zhgënjejnë; ndërsa ashtu siç do tí shoh tashti, të tillë do t’í shikojë përgjithmonë.
Në shënimet e Ibsenit, pjesërisht mund veçojmë edhe mendimet e tij:
Ekzistojnë dy lloje të ligjeve shpirtërore, dy lloje ndërgjegjes, njëra tek një burrë ndërsa tjetra, krejtësisht e ndryshme, tek një grua. Ata nuk e kuptojnë njëri-tjetrin; ndërsa, në jetën praktike, gruaja gjykohet sipas ligjit të burrave, sikur të mos ishte grua, por një burrë … Një grua nuk mund të jetë ajo që është në shoqërinë e sotme, e cila është një shoqëri ekskluzivisht mashkullore, me ligje të krijuara nga burrat dhe me një sistem ligjor që gjykon sjelljen e saj nga aspekte mashkullore.
Së fundi, në shënimet e tij në shënimet e autorit në lidhje me shfaqjen Hedda Gabler, Ibsen shkroi:
Gratë dhe burrat nuk i përkasin në të njëjtin shekull.
Bazuar në shënimet e Ibsenit, ne mësojmë për përvojën e tij në ndërtimin e të natyrës së vërtetë të Hedda Gablerit. Disa nga këto shënime u gjetën të shtypura, ndërsa disa jo, e që u shfaqen në shfaqen më vonë në versionet tjera.
Hedda Gabler: si një studim psikologjik, dhe një dramë shumë e fuqishme dhe përmbajtjesore
Duke u shërbyer edhe me këto shënime, ne do të bëjmë përpjekje që të theksojmë disa nga reflektimet e Ibsenit për kryepersonazhen e dramës së tij:
Bukuri e zbehtë, në dukje e ftohtë, thotë Ibseni. Kërkesa të mëdha për jetën dhe gëzim për jetën … Jo të gjithë kanë lindur për të qenë nënë shton autori … Gratë nuk kanë asnjë ndikim në punët e jashtme. Prandaj, ato dëshirojnë që të kenë një ndikim tek shpirtrat … Te Hedda ekziston një poezi e thellë. Por mjedisi e frikëson atë. Imagjinoni ta bëjmë veten qesharak!
Bazuar në shënimet e vetë dramaturgut, të përshkrimeve, të udhëzimeve e të elementëve të tjerë nga koha e krijimit të dramës Hedda Gabler, ne mundemi q ë, të paktën në një përmbledhje të shkurtër, ta rindërtojmë atë proces krijues të filluar në shtator të vitit 1889, ku Ibseni vendosi ta shkruaj dramën Hedda Gabler. Akti i të shkruarit i përshtatej me shpejtësi të ndryshueshme, por më së shumti ishte e mundimshme për të procesi i të shkruarit, të shlyerjes dhe pastrimit që u bënte të tre drafteve të dramës. Për shembull, në nëntor 1889, ai ishte i kënaqur me ritmin e shkrimit të veprës, por nga më pas deri më 13 gusht 1890 mësojmë se ka shkruar vetëm dy akte. Madje i ndodhi që brenda tre javësh të shkruante vetëm tre rreshta. Ai e mbaroi dorëshkrimin më 17 nëntor dhe më 16 dhjetor të vitit 1890 drama u botua nga Shtëpia Botuese Gildendal në 10 mijë kopje.
Sipas R. Wiliamsit:
Drama Hedda Gabler mund të kuptohet si një studim psikologjik, paçka se, në fakt, është një dramë shumë e fuqishme dhe përmbajtjesore … Mendoj se këtu mund të pajtohem më Vollf Mankovicin kur e thotë: Në një kuptim të caktuar “Hedda Gabler” është një farsë. Kjo dramë e tillë, në të vërtetë edhe është: një lloj i farsës së vrazhdët të cilën, sipas traditës, është shumë e vështirë që ta dallojmë nga melodrama.
Joan Templeton mendon se kjo vepër e Ibsenit është në dramë realiste e një rasti nordik, për të shtuar këtu, menjëherë edhe shikimet e tij mbi personazhin kryesor të veprës:
Gruaja e çuditshme Hedda Gabler! Ajo i posedon veçoritë më të larta të një gruaje; por edhe më të ulëtat që mund t’í ketë një femër, ndaj dhe ajo e paraqet tipin më të përkryer, por edhe më të urryer të femrës. Çfarë është ajo, në fakt? Nëse në fund do të bëjmë përpjekje që ta zbërthejmë esencën e dramës, arrijmë tek përfundimi se Fisheku i revolverit të cilin Hedda e shkrepë mbi vete … mos vallë e përfaqëson, mbase, mohimin e ideve të cilat i ka shkoqitur Ibseni më parë? Ndoshta Hedda Gableri është rezultat i çastit të shtënies mbi përpjekjet vetanake që nuk i dhanë frytet e pritura? Apo, mbase, ky është pranim i paaftësisë që të realizohet bota e ëndërruar, dhe se Hedda Gabler vetëm një dëshmi e re mbi vështirësitë që duhet tejkaluar për realizimin e një ideali.
Të dhënat të caktuara, bazike, mbi këtë dramë, mbase na i jep Elizabet Vajster në një ese për H. Ibsenin:
Syzheu i kësaj drame është marrë nga një fabul të mëhershme epike, të përgatitur për një roman voluminoz. Drama me gjashtë personazhe luhet në një hapësirë që në fakt është një sallon i rregulluar me shije, në gjithsejtë dy ditë dhe në katër akte, relativisht të shkurtra.
Më pastaj Vajster flet edhe mbi dramaturgjinë e Ibsenit duke na e vënë në pah se:
Teknika e dramës së Ibsenit nuk mund të përshkruhet përmes fjalës profesionale si ‘analitike’ … në këtë dramë, sikurse edhe njëmbëdhjetë të tjerat që i përkasin ciklit të plotë, bëhet fjalë për çastin e tanishëm. Teknika e Ibsenit zë fill tek përqendrimi konsekuent dhe intelektual.
Në tekstin në vazhdim ajo e veçon përdorimin e detajeve në dramaturgjinë e Ibsenit, ndërsa si ilustrim i merr pantoflat e Tesmanit:
Pantoflat janë simbol – ajo fjalë e ka një domethënie shumë të të thellë.
Kjo kursen nevojën për shumë sqarime dhe interpretojnë një marrëdhënie specifike njerëzore pa shumë fjalë. Pantoflat na paraqiten vetëm një herë e kurrë më.
Nëse e marrim shembullin e kapelës së zonjushës Juliana Tesman, kjo autore i sqaron veprimet e Hedda Gablerit. Këtu, kjo autore e përcakton të tërë vetëdijen e zgjuar të Heddas. Në çastin kur ajo ngopet me andralla, Hedda, vërtetë e bënë atë që nuk duhet bërë. Duke e përmbyllur esenë e saj, sipas E. Vajsert:
Hedda Gabler i përket njërës prej dramave më të suksesshme të Ibsenit … e inskenuar nëpër të gjitha skenat e botës së vjetër dhe të re ndërsa suksesi i saj, edhe sot e kësaj dite nuk ka ndryshuare, ani pse, në një pjesë të konsiderueshme, madje, u shndërrua në një viktimë të interpretimeve të gabuara. Kjo është dëshmi se në letërsi nuk është vetëm në funksion të përdorimit artistik të stilit më kompleks të të folurit … porse, një pjesë realiste në kohën e vetë asnjëherë nuk mund të kuptohen drejtë dhe saktë. Kjo ngase, përpara realitetit për të cilin aludohet, konfrontohen paragjykimet e kohës e të cilat, në mënyrë të vetë, janë, po ashtu një realitet.
Gjithashtu është mjaft indikative edhe pyetja tjetër se cila është arsyeja e vërtetë që, në vetë titullin e dramës, për Heddan është ruajtur mbiemri i prindërve e jo ai i martesës, pra: Tesman, e që e gjejmë tek pjesa e shënimit të emrave të personazheve. Së pari, vetë Ibseni për titullin e dramës thotë:
Kam dashur ta shquaj Heddan si personalitet, dhe se atë, duhet vështruar, më parë si vajzën e babait të saj, se sa gruan e burrit të saj.
Hedda dhe personazhet tjera që asnjëherë nuk ia dalin që t’i lexojnë mendimet e lexuesit
Hedda Gabler është vajza e preferuar e gjeneralit i cili e llastoi atë, por duket se ai nuk e la një trashëgimi të denjë. Një grua e asaj kohe dhe të asaj shoqërie kishte vetëm tre role: të bëhet një vajzë e martuar, pastaj një grua dhe nënë e mirë, ose një shërbëtore e vjetër, nëse nuk kishe fat në jetë.
Është mëse e qartë edhe për Heddan se, rruga drejt shoqërisë shtrihet vetëm përmes burrave. Në bazë të elementëve që e karakterizojnë personalitetin e Heddas, një situatë si kjo nuk i përshtatet aspak kryeprotagonistes së dramës. E thamë se Hedda është e re dhe e bukur. Si rrjedhojë logjike e kësaj, ajo ka shumë admirues, por fillimisht nuk nxitoi të martohej ngase, druante se nga martesa do ta priste vetëm një kafaz shtatzënie dhe mëmësie, siç frikësoheshin shumë vajza të kohës. Hedda gjithmonë e kishte ëndërruar një jetë të bukur me përplot pasione dhe me shumë përmbajtje, thjeshtë, me një jetë ë me shumë “fishekzjarrë” ekzaltuese emocionesh. Kjo ishte rezultat i marrëdhënies me t’et i cili, kihet përshtypja se, Heddan e mësoi që të marrë vetëm atë që dëshiron dhe të mos jetë e ballafaquar me zhgënjimin. Më në fund, vitet kalojnë. Babai vdes, dhe asaj i duhet që të zgjedh një shtëpi të re. Kështu ajo përzgjedh Jorgen Tesmanin i cili është një jetim, i edukuar mirë, por një prej njerëzve që, mbase, më së paku i shkonte për shtati Heddas.
Nganjëherë nuk na duket, madje e çuditshme se, duke reflektuar mbi karakterin e heroinës së dramës Hedda Gabler të Ibsenit, e gjejmë veten thuaja se jemi duke e lexuar Kierkegaardin, paçka se, në shikim të parë na krijohet ajo përshtypja se kemi të bëjmë më një dramë sipërfaqësore, një metodë dramaturgjike që është e njohur për dramaturgjinë e Ibsenit: mbi vajzat e urta, “të mira” dhe të edukuara të cilat, në një kthesë jetësore “shpërfytyrohen” duke e nxjerr personin tjetër, atë të fshehurin, nga vetja.
Fatkeqësisht, personazhet asnjëherë nuk ia dalin që t’i lexojnë mendimet e lexuesit! Dhe kokat rrotullohen! Siç e thamë, edhe tek Shtëpia e kukullës, edhe tek Hedda Gabler, njëlloj si tek Kierkegaard, H. Ibseni i trajton fate të thyera të personazheve, betimet e thyera, dorëshkrime të djegura, zhgënjimet e panumërta, etj., e që janë veçori e kësaj krijimtarie.
Ibseni në karakterizimin e tij për Heddan e thekson me këmbëngulje ftohtësinë e saj: një grua e ftohtë në një qetësi të qartë, sy të ftohtë apo edhe vështrim të ftohtë por të mprehtë. Ndërsa, së bashku me një përshkrim të sjelljes së heroinës, këto vërejtje krijojnë lidhje të vazhdueshme të një ekuivalence me një gjarpër therës.
Sipas kësaj, Ibseni dëshiron të na e thotë se, objektivisht, as Hedda nuk mund të jetë tjetër gjë veçse një manipuluese e aftë, një intrigante e pa shoq, plotësisht pa simpati për njerëzit që e rrethojnë apo edhe një qëndrim të mirë ndaj kujtdo.
Vetëm ta kujtojmë se me sa gjakftohtësi ajo ia jep armën Ejler Levborgut, i cili është duke kaluar çaste jo të mirë dhe të qëndrueshme në jetën e tij. Kjo është një dëshmi e asaj se sa e sofistikuar është Hedda – kjo grua e martuar, që përpiqet që nga përtacia dhe nga prishja e fatit të njerëzve të tjerë, të ngacmojë, të injorojë dhe të rrokë në duar armë (në kuptimin e mirëfilltë të fjalës) dhe të gënjejë pa lëkundur qerpikun fare. Është këtu një çështje vërtetë interesante të cilën e parashtron, i cili, në studimin për Ibsenin, na sfidon me pyetjen se: A thua vallë, Hedda do të duhej të lindte mashkull në mënyrë që të angazhohej në politikë ose të shërbente në ushtri. Ndoshta ajo do ta gjente veten në këtë gjendje tjetërfare.
Edhe pse ka shumë mashtrim femëror në karakterin e saj: të paktën nëse do ta kujtojmë qëndrimin e saj ndaj Teas shumë gjëra do i kemi të qarta, përgjithësisht. Dikujt, mbase, do t’i vije keq për Heddan, dhe do të thoshte se karakterin e saj mund ta ketë kushtëzuar fakti se askush n nuk ka nevojë për të; apo se është e vetmuar, e braktisur, e etur për lirinë dhe bukurinë! Fundja është disi më e lehtë të marrësh frymë kur e di se diçka e lirë dhe e guximshme ndodh në botë, por Heddan e anashkalojnë çdo gjë e bukur ne krye. Të paktën këtë përshtypje për të na e lë ajo e që e shpie deri tek pyetja e vështirë se: a është jeta apo liria më e vlefshme? Zgjedhja është për të gjithë. Këtu, veprimi i dramës shpaloset mjaft parashikueshëm. Kjo është pikërisht ajo që e bën këtë dramë si një eliksir që e bënë lindjen ne shumë mendimeve të ndryshme.
S’do mend, për dikë që i vë ndjenjat në radhë të parë, i vjen keq për Heddan, duke e përjetuar atë si një bukuroshe pa të drejtë lirie. Si një grua që u braktis nga të gjithë në thelb, duke e shndërruar edhe këtë, si Norën, në një kukull të përshtatshme për dikë tjetër. Një dekoratë që pritet të përmbushë kërkesat e shoqërisë inerte dhe të cektë e cila e rrethon. Për këtë gjë, ajo fillimisht na duket narcisoide deri në tru apo një bukuri e llastuar cinike dhe mizore.
Shi për këto mund të thuhet se kjo dramë e Ibsenit është shumë e rëndësishme edhe sot e kësaj dite! Problemi i vetmisë, ai i dashurisë tragjike dhe ndjenjës së padobisë do të jenë gjithmonë të rëndësishme në jetën e njerëzve: si në shekullin e XIX ashtu edhe në shekullin XXI.
Padyshim se tema kryesore e dramës Hedda Gabler të Henrik Ibsenit, para së gjithash, është drama e vetmisë së njeriut. Thjeshtë: askush nuk kujdeset për Heddan. As burrit i saj, por as tezja së tij, e as kushdoqoftë tjetër. Pra Hedda nuk ka më miq. Po ashtu, në dramë nuk iniciohet asnjë sugjerim se dikush e do atë. Po, dhe ajo vetë tashmë është ngurtësuar dhe, thuaja se nuk e di më se çfarë domethënie mund të ketë dashuria. Disa kritikë e mbrojnë Hedda Gablerin duke i justifikuar veprimet e saj me atë se ajo është një grua e palumtur, para së gjithash, një grua që dikur e donte bukurinë dhe lirinë. Ndërsa, tashti është shndërruar vetëm një shtojcë e burrit të saj, ngase koha në të cilën jeton kryetragjikja e veprës së Ibsenit, thjeshtë, jeton në një kohë kur një grua nuk mund ta tregojë individualitetin e saj dhe mbetet e mbyllur në një kaush. Për këtë arsye, Hedda e kërkon “bukurinë” në shkatërrim, por edhe në poshtërimin dhe shkatërrimin e të tjerëve.
/Telegrafi/