Site icon Telegrafi

Ibrahimovic flet sërish për Guardiolan: Kur më la në bankë, parkoja Ferrarin tim para zyrës së tij

Ish sulmuesi i njohur, Zlatan Ibrahimovic është rikthyer të flasë për marrëdhëniet e tij me Pep Guardiolën, gjatë kohës që dyshja ishin te Barcelona.

Ishte vetë Guardiola që e afroi te Barcelona, por shumë shpejt e uli në stol, me pretendimin se nuk i përshtatej filozofisë së tij për lojën.

“Mendoj se Guardiola është një trajner i madh, kur unë isha në Barcelonë ishte një përvojë ndryshe. Ai është i suksesshëm, ai kurrë nuk përfundoi i treti, ai ishte gjithmonë i pari apo i dyti”.

“Por unë gjithashtu duhej të takoja personin që qëndron pas atij gjeniu stërvitor që zgjidh problemet e mia. Ua them të gjithëve në fytyrë dhe problemet zgjidhen”.

“Kur shkova te Barcelona, Guardiola më tha se aty lojtarët nuk shkojnë në stërvitje me makina luksoze. E respektova këtë rregull, por që nga momenti që më la në stol për herë të katërt radhazi, fillova t’ia parkoj Ferrarin tim çdo ditë para zyrës. Bashkë nuk arritëm të krijojmë dot një marrëdhënie të mirë”, ka thënë Ibra.

Lexo po ashtu Nga Ibrahimovic te Toure dhe Gotze, lojtarët që dështuan nën drejtimin e Pep Guardiolës

Sulmuesi suedez qëndroi vetëm një sezon te Barcelona, ku u transferua me bujë verën e 2009 nga Interi, ndërsa një vit më pas u rikthye në Milano, por këtë herë për të veshur fanellën e Milanit. /Telegrafi/

Exit mobile version