Site icon Telegrafi

Ibrahimi: Procesi i vlerësimit të dëmeve nga ana e komunave ka filluar, jemi në pritje të raporteve përfundimtare

Ilustrim

Shumë komuna të Kosovës javën e kaluar u goditën nga vërshimet pas reshjeve të shiut dhe borës, ku si pasojë u shkaktuan shumë dëme në infrastrukturë rrugore, në kulturat bujqësore, banesa dhe shtëpi banimi.

Për shkak të vërshimeve disa familje janë detyruar të evakuohen, ndërsa Kamenica ka shpallur edhe gjendjen emergjente. Në Komunën e Gjakovës, disa familje janë evakuuar për t’u strehuar në aeroportin e këtij qyteti.

Lidhur më këtë, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka thënë se do të formojnë Fondin Emergjent për vërshimet.

Gjatë një takimi online me kryetarët e komunave të Kosovës, Hoti ka kërkuar nga ata që të evidentojnë të gjitha dëmet që kanë nga vërshimet dhe të parashtrojnë kërkesat për ndihmë.

“Unë me disa prej jush kam biseduar dhe në disa vende kam qenë në terren për ta parë gjendjen për së afërmi. Kemi pasur fat që nuk e kemi pësuar asnjë rast me fatalitet si pasojë e këtyre vërshimeve. Kam parë që ka dëme të konsiderueshme në shtëpi banimi dhe në toka bujqësore. Unë kërkoj nga ju që t’i evidentoni problemet që keni dhe të komunikoni me Ministrinë e Mbrojtje, për t’iu ndihmuar FSK-ja në vendosjen e urave aty ku ka nevojë dhe gjëra të tjera”, kishte thënë Hoti, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Hoti: Të premten krijohet Fondi Emergjent për vërshimet, nga java e ardhshme mund të ndihmohen qytetarët

Po ashtu, Hoti ka kërkuar që sa më shpejtë duhet formohen komisionet komunale për të bërë vlerësimin e këtyre dëmeve.

Për vlerësimin e dëmeve, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi për Telegrafin ka thënë se, komunat janë duke bërë llogaritjen e tyre.

“Procesi i vlerësimit të dëmeve nga ana e komunave ka filluar. Disa prej tyre janë në proces, pasi ende ka ujë dhe pritet që të bie ai nivel. Besojmë se ky proces të përfundoj sa më shpejtë, pasi disa familjeve u është dëmtuar shtëpia e banimit”, tha Ibrahimi.

Ai ka shtuar se, disa prej dëmeve pritet të mbulohen nga vetë komunat.

“Janë disa nivele të mbulimit të dëmeve, ku disa prej tyre pritet të mbulohen nga komunat, kurse disa nga niveli qendror, siç janë dëmet në bujqësi. Tash presim prej të gjitha komunave që ta përfundojnë sa më shpejtë procesin”, u shpreh ai.

Në mesin e shumë komunave që janë prekur rëndë nga vërshimet është Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Gjakova, Kamenica dhe Vushtrria.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci kishte thënë se gjendja nga vërshimet është shqetësuese, duke shtuar se 15 familje janë evakuuar dhe strehuar në hotelet e qytetit.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka treguar se, ka pasur vërshime nga lumi Sitnica dhe se gjendja në qytet është rënduar.

Tahiri kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës për kompensimin e dëmeve. /Telegrafi/

Exit mobile version