Komunat e Kosovës janë të gatshme për nisjen e procesit të vaksinimit dhe janë duke pritur shpërndarjen e vaksinave nga niveli qendror në atë lokal, ndërkohë që nuk do të ketë masa të reja kundërCOVID-19, por vetëm zbatim rigoroz të masave aktuale.
Kështu u tha sot në takimin virtual të Komitetit antiCOVID, i thirrur nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, me kryetarët e komunave, në të cilin u diskutua për procesin e vaksinimit nëpër komuna dhe respektimin e masave antiCOVID pas mbërritjes së kontingjentit të parë të vaksinave antiCOVID-19 në Kosovë.
Sazan Ibrahimi, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tha pas takimit për kp se kryetarët e komunave u njoftuan rreth ndarjes së kontingjentit të parë prej 24.000 dozave të vaksinave, ku 13.000 do të jenë për punonjësit shëndetësorë, ndërsa 11.000 për qytetarët mbi moshën 80-vjeç.
“U diskutua rreth rrjedhës së procesit të vaksinimit nëpër komuna të Republikës së Kosovës dhe nga ministri Vitia kryetarët e komunave u njoftuan që nga kontingjenti i parë të cilët janë 24.000 doza, 13.000 doza do të jenë për punonjësit shëndetësorë, kurse 11.000 doza për qytetarët e Kosovës, të cilët janë mbi 80-vjeç dhe të cilët kanë sëmundje përcjellëse. Të gjitha komunat e Kosovës janë gati të fillojnë procesin e vaksinimit dhe të gjitha qendrat e mjekësisë familjare janë gati, personeli shëndetësor është gati dhe vetëm janë duke pritur të vijnë vaksinat nga niveli qendror në nivelin lokal”, tha ai.
Ibrahimi tha se kryetarët e komunave dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk janë për kthimin e masave të vitit të kaluar, për shkak të gjendjes me pandemi.
“U diskutua edhe për rreth masave antiCOVID. Ishte një dakordim i përbashkët që duhet implementimi më rigoroz i masave aktuale të ketë një monitorim më rigoroz të zbatimit të masave aktuale, ndërsa sa i përket mundësisë së masave të reja, ministri Vitia u zotua që masa të reja nuk do të ketë pa konsultime paraprake me Asociacionin e Komunave të Kosovës, përkatësisht me këshillin e kryetarëve të komunave dhe gjithashtu gjithçka do të ndodhë pas një analize të mirëfillte dhe rekomandimeve nga ISHKP, Asociacioni i komunave të Kosovës është dhe do të jetë për respektimin e masave aktuale. Në çdo rast, kryetarët e komunave kanë shprehur gatishmëri të përkrahin masat, të cilët shpëtojnë jetën e qytetarit, mirëpo kanë kërkuar paraprakisht që të konsultohen që nga marsi i vitit 2020 kryetarët e komunave kanë respektuar çdo rekomandim që ka ardhur nga IKSHP, në mënyrë që të shpëtohet jeta e qytetarit, por gjithmonë kanë kërkuar që të gjendet një balancë mes shëndetit ekonomik dhe atij publik”, tha Ibrahimi.
Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 774 raste të reja me COVID-19.