Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se institucionet nuk kanë njohuri bazike se si do të duhej të funksionohej një mekanizëm si Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe (ASK), madje ato as nuk kanë qenë të përgatitura që të diskutojnë në Bruksel për një gjë të tillë.
Ibrahimi tha se institucionet të cilat kanë përfaqësuar Kosovën në Bruksel nuk kanë qenë mirë të përgatitura sa i përket Asociacionit, duke mos marrë asnjëherë mendim nga ky institucion për mënyrën e funksionimit ose çështje të tjera.
“Besoj në institucione të Kosovës, por deri më tani përfaqësuesit e Kosovës, të cilët kanë qenë në Bruksel s’kanë qenë të përgatitur sa i përket mekanizimit të quajtur Asociacion. Besoj që ata as njohuri bazike nuk kanë pasur se si duhet të punoj ky mekanizëm, dhe asnjëherë nuk janë konsultuar me ne që të marrin mendime tona”, ka thënë Ibrahimi për Ekonomia Online.
Sipas tij, Asociacionit nuk duhet dhënë asnjë kompetencë, në të kundërtën do të tejkalonte rolin, për të cilin ai krijohet.
Ai vlerëson se në bazë të atyre që po fliten në opinion do të ketë tendenca të krijimit të një niveli tjetër qeverisës të ndërmjetëm.
“Shpresoj që ky mekanizëm të mos ketë ndonjë kompetencë, asnjë kompetencë. Nëse ky mekanizmin do të ketë vetëm një kompetencë atëherë do të tejkalojë rolin për të cilën asociacionet krijohen, sepse këto krijohen vetëm për t’i mbrojtur interesat e autoriteteve lokale dhe për t’i përfaqësuar ato dhe jo që t’i mbrojnë interesat etnike të ndonjë komune apo autoritetit lokal”.
“Unë besoj në institucione të Kosovës që ky mekanizëm të mos ketë kompetenca ekzekutive, sepse nëse do të ketë atëherë unë besoj thellë që Republika e Kosovës dhe sistemi qeverisës në Kosovë nuk do të jetë siç është tani, do të ketë tendenca të krijimit të një niveli tjetër qeverisës të ndërmjetëm”, tha ai.
Lidhur me raportin për hartimin e statutit, të cilin ekipi menaxhues e ka dërguar në Qeveri ai tha se nuk duhet të dërgohet në Bruksel, madje edhe paralajmëron pasoja më të mëdha.
“Duhen të jenë mekanizmat tanë qeveritarë që përfaqësojnë interesat e Kosovës në Bruksel më aktive, në mënyrë që këto të mos përfillen gjatë debateve gjatë negociatave në Bruksel. Nëse një gjë e tillë ndodhë që Draft-statuti i tyre të i anashkaloj strukturat legale të zgjedhura nga populli i Kosovës dhe që ky Draft-statut, i cili nuk është diskutuar në parlamentin e Kosovës dhe nëse anashkalohen institucionet tona ligjore vendimmarrëse dhe sigurohet një statut i tillë në Bruksel atëherë besoj se pasojat mund të jenë më të mëdha se që kanë qenë deri më tani”.
Për gjithë këtë tollovi të krijuar Ibrahimi thotë se dikush duhet që të jap përgjegjësi, ngase fillimisht ky mekanizëm u cilësua jo më shumë se një organizatë jo-qeveritare.
“Nëse ky asociacion do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nëse që nga viti 2013 popullit të Kosovës i është premtuar që ky mekanizëm do të ketë statusin juridik të një OJQ dhe që natyra e punës së tij do të jetë e njëjtë si natyra e jonë e punës. Nëse një gjë e tillë nuk ndodhë unë shpresoj që dikush duhet të marr përgjegjësi morale politike, sepse nëse krijohet një qeverisje e ndërmjet mes atij lokal dhe qendror në Kosovë dhe nëse një gjë e tillë është monoetnike atëherë mendoj që dikush patjetër duhet të marrë përgjegjësi”, tha Ibrahimi.