Gjysmëfinalja e “Big Brother VIP Kosova” u shënua nga një moment stilistik i veçantë, kur konkurrenti Lumbardh Salihu vendosi të nderojë një figurë të rëndësishme historike përmes garderobës së tij.
Lumbardhi u shfaq i veshur me një këmishë të veçantë që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, jo vetëm për shkak të ngjyrave të saj të ndezura, por edhe për figurën e stampuar mbi të – asnjë tjetër veçse presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Këmisha u krijua nga stilistja e njohur Blerina Kllokoqi Rugova, e cila është nuse e presidentit të ndjerë dhe njëkohësisht pronare e brendit “Bukur World”.
Blerina zgjodhi të bëjë një dedikim të veçantë duke vendosur në këmishë jo vetëm figurën e Rugovës, por edhe të dy heronjve të tjerë kombëtarë, Lekë Dukagjinit dhe Pjetër Bogdanit, duke përcjellë një mesazh krenarie dhe identiteti kombëtar.
Në profilin e saj zyrtar në Instagram, Blerina ka ndarë me ndjekësit imazhe të kësaj këmishe, ku shihet se si koncepti që ajo ka pasur në mendje ka marrë jetë.
Këmisha e Lumbardh Salihut kështu bëri jehonë jo vetëm për stilin e veçantë, por edhe për kuptimin historik dhe simbolik që ajo mban.
Kjo lëvizje e Lumbardh Salihut u pa si një nderim elegant dhe i kujdesshëm për të kaluarën dhe ndikimin e figurave historike në legjendën dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Lumbardhi ishte njëri nga katër finalistët fatlumë të mbrëmjes, bashkë me tre konkurrentët e tjerë: Edona James, Shqipe Hysenaj dhe Blerando, ku njëri prej tyre do të jetë fituesi i edicionit të dytë të Big Brother VIP Kosova, finalja e të cilit do të mbahet të premten. /Telegrafi/