Telegrafi

Ibra shënon dhe asiston në kthimin e tij, ndërsa Milani fiton 9-0 në miqësoren ndaj Rhodenses

(Foto: Screenshot/Twitter/AC Milan)

Zlatan Ibrahimovic ka shënuar një gol dhe ka dhuruar një asistim për Milanin në ndeshjen miqësore kundër ekipit Rhodense që bën gara në lugën e gjashtë italiane (e njohur si Promozione).

Sulmuesi veteran, i cili e ka bartur fanellën e Rossonerëve gjatë viteve 2010-2012, është kthyer në Serie A, ku ka nënshkruar kontratë afatshkurtër.

38-vjeçari është përfshirë në aksion në ndeshjen testuese, të cilën trajneri Stefano Pioli e filloi me formacion të fortë. Ibra ishte në qendër të sulmit që përbëhej edhe nga Hakan Calhanoglu dhe Suso, të cilët luanin në krahë.

(Foto: Screenshot/Twitter/AC Milan)

Në ndeshjen të cilën Milani e fitoi me rezultat 9-0, Davide Calabria i shënoi dy golat e parë dhe pastaj asistoi te i rikthyeri Zlatan, i cili e realizoi golin e tretë.

Më pas, Ibrahimovic dhuroi një asistim për Calhanoglun që e shënoi golin e katërt, ndërsa Lucas Paqueta e shënoi të pestin dhe të fundit në pjesën e parë.

Pioli i bëri 11 ndryshime në pjesën e dytë, me ç’rast i inkuadruari në vendin e Ibras, Krzysztof Piatek, shënoi dy herë, ndërsa në listën e golashënuesve u regjistrua edhe Samu Castillejo. /Telegrafi/