Site icon Telegrafi

Iaquinta dënohet me dy vjet burg për posedim armësh, por lirohet nga akuza për lidhje me mafinë

Vincenzo Iaquinta (Foto; Valerio Pennicino/Getty Images/Guliver)

Vincenzo Iaquinta thotë se prokurorët ia kanë shkatërruar jetën duke e dënuar me dy vjet burg, ndërkohë që, sipas tij, ai nuk ka bërë asgjë.

Ish-futbollisti italian ishte shpallur fajtor për përdorim të armës së zjarrit, ndërkohë që kishte qenë i akuzuar edhe për një komplot për të ndihmuar mafinë – por kjo akuzë është hedhur poshtë.

Ai është dënuar me dy vjet burg (vendim që do ta apelojë), ndërsa babai i tij rrezikon 19 vjet burg.

“Është e turpshme”, u ka thënë Iaquinta gazetarëve jashtë gjykatës.

Lexo po ashtu Lajmet për Iaquintan

“Ata ma shkatërruan jetën, derisa unë nuk kam bërë asgjë. Kam vuajtur si qen në këto katër vite, ashtu si familja ime dhe fëmijët e mi, kur unë nuk kam bërë asgjë”.

“Në familjen tonë as që e dimë se çfarë është ‘Ndrangheta’ (rrjet mafioz italian), ma kanë shkatërruar jetën për asgjë”.

“Më shpallën fajtor vetëm pse jam kalabrez, por unë e kam fituar Kupën e Botës. Drejtësia do të vihet në vend për ne, sot u dha vendimi pa një gjykim”, ka thënë Iaquinta.

Ish-sulmuesi i Juventusit, i cili ka qenë pjesë e skuadrës së Italisë që e fitoi Kupën e Botës në vitin 2006, ishte njëri prej 148 të akuzuarve për lidhje me rrjetin mafioz nga jugu i Italisë, ‘Ndrangheta.

Gjykata i hodhi poshtë akuzat për lidhjen e Iaquintas me mafinë, porse e dënoi për dorëzim të paligjshëm të dy armëve drejt babait të tij, i cili asokohe ishte nën urdhër të gjykatës që ia ndalonte mbajtjen e armëve.

Babai i 38-vjeçarit u shpall fajtor dhe u dënua me 19 vjet burg. Më shumë se 120 të tjerë po ashtu u shpallën fajtorë. /Telegrafi/

Exit mobile version