Site icon Telegrafi

Ia vodhi një qytetareje kuletën me 750 euro – policia kërkon bashkëpunim për identifikimin e të dyshuarës nga Prizreni

Policia e Kosovës në Prizren është duke zhvilluar hetime lidhur me veprën “Vjedhje”, ndërkaq po kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e të dyshuares.

Sipas njoftimit për media vepra penale ka ndodhur më 06.07.2022 ora 10:40 në rrugën “Edit Durham”, tek butiku “Dritoni” në Prizren.

“E dëmtuara ka raportuar në Stacionin Policor në Prizren, se më datën 06.07.2022, rreth orës 10:40 derisa ishte duke blerë disa gjëra në butik, persona të panjohur nga çanta e saj e dorës i kanë vjedhur kuletën e saj, në të cilën kishte dokumente personale si dhe para në vlerë 750 euro.

Nga video regjistrimet nga kamerat e sigurisë të nxjerra nga butiku ku ka ndodhur rasti, është siguruar fotografi e të dyshuarës, mirëpo deri tani nuk është rezultuar në identifikim e saj”, thuhet në njoftim.

Me qëllim të ndriçimit të rastit nga Prokuroria Themelore në Prizren, Policia thotë se kanë marrë autorizimin në pajtim dispozitave të nenit 76 prag 2 të KPPRK-së, për publikimin e fotografive të dyshuarës në mediume televizive dhe media sociale, ku kërkohet bashkëpunim-ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, që do të ndihmonin në identifikim dhe arrestimin e të dyshuarës.

“Andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët që nëse kanë çfarëdo informate apo dinë diçka për vendndodhjen e të dyshuarës në foto, të raportojnë policinë në Prizren apo në cilindo stacion të Policisë në Kosovë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version