Site icon Telegrafi

Ia publikuan fotografinë e të dhënat, Gjykata e Policia ia hedhin fajin njëra-tjetrës për shpalljen në kërkim të Astrit Rexhajt

Një urdhëresë e lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë, për kërkimin e një qytetari të Kosovës, Astrit Rexhajt, i cili tash e disa vite jeton e vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund t’i kushtoj shtrenjtë atij, ndërsa për publikimin e të dhënave Gjykata Themelore në Pejë dhe Policia po ia lënë fajin njëra-tjetrës.

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë lëshoi një njoftim për medie, përmes së cilit kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për ta lokalizuar, e pastaj për ta arrestuar Astrit Rexhajn, i cili kërkohet për veprën penale “mashtrim me votime”.

Publikimi i këtij njoftimi i cili u bë me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Pejës, nxiti reagimin e Astrit Rexhajt, i cili tash e disa vite ka shkuar të jetoj në SHBA, duke ndërtuar atje jetën e tij, dhe të cilit një njoftim i tillë do të mund t’i bënte shumë dëm në vendin ku ai punon e vepron.

Lexo po ashtu U shpall në kërkim nga policia, reagon Astrit Rexhaj

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Rexhaj ka thënë se ai nuk ka mashtruar në votime, por se dikush ia ka lënë fajin vetëm pse ishte student.

Sipas tij, rasti ka ndodhur në vitin 2010, ndërkohë që tash punon në një spital në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E në lidhje me publikimin e këtyre të dhënave, as Gjykata Themelore në Pejë, e as Policia e Kosovës nuk kanë dhënë asnjë sqarim.

Në pyetjet e dërguara nga Telegrafi, ku kërkohen detaje se si vjen deri te një publikim i tillë i të dhënave, Gjykata Themelore në Pejë, ka thënë se pyetjet në lidhje me këtë duhet të drejtohen në Drejtorinë Rajonale në Pejë, për shkak se ata i publikojnë fotografitë e personave të kërkuar, edhe pse e kanë cekur se Urdhëresa lëshohet nga Gjykata.

“Fotografitë e personave të kërkuar me Urdhëresë të Gjykatës Themelore në Pejë publikohen nga ana e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë. Andaj, lidhur me pyetjet e parashtruara ju lutem që t’i drejtoheni Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Pejë, dërguar Telegrafit, duke refuzuar të përgjigjen në pyetjet për procedurën e cila duhet ndjekur për të shpallur në kërkim një person.

Po ashtu, Telegrafi ka pyetur nëse Rexhaj ka kontaktuar me organet e drejtësisë në Kosovë, pas publikimit të këtij njoftimi, por as në këtë pyetje nuk kanë dhënë përgjigje.

Ashtu siç u kërkua, Telegrafi përgjigje kërkoi edhe nga Policia e Kosovës. Ata theksuan se derisa ka urdhëresë nga organet e drejtësisë, policia vetëm i zbaton ato urdhëresa.

“Drejtoria Rajonale e Policisë(DRP)Pejë, konform nenit 538 Kodit Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, si dhe Urdhëresës me numër P.nr. 11/ 2018 të datës 12.03.2018 lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë, gjyqtari i çështjes mandaton Policinë e Kosovës për të bërë njoftimin e opinionit me Letërreshtim përmes mjeteve të informimit publik. Në lidhje me shpalljen në kërkim përmes mediave mund t’i drejtoheni Gjykatës Themelore në Pejë, sipas urdhëresës së kësaj gjykate siç u cekë edhe më lartë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, dërguar Telegrafit.

Exit mobile version