Site icon Telegrafi

Ia dhuruan fotografinë nga takimi i 2010-së e fanella të kombëtares, Krasniqi e Abdixhiku presin në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku kanë pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.

Kryetari i PDK-së në një postim në Facebook shkruan se ambasadorit Hovenier i shprehu mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm në procese dhe situata sfiduese për Kosovën.

“Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, ambasadorit Hovenier i shpreha mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm në procese dhe situata sfiduese për Kosovën. Me këtë rast, ia dhurova fotografinë tonë të përbashkët nga takimi ikonik i vitit 2010, si pjesë e delegacioneve të kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe nënpresidentit Joe Biden”, shkruan Krasniqi.

Ai tha po ashtu se i dhuroi edhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës për ta falënderuar për angazhimin e tij të palodhur në avancimin e interesave të përbashkëta mes shteteve.

“Ishte kënaqësi të bashkëpunojmë në këtë rrugëtim. Suksese të mëtejme miku ynë!”, shkruan Krasniqi.

E në takim lamtumirës ambasadorin amerikan e priti edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“E falënderova për gjithë angazhimin e gjithë përkushtimin e tij, jo vetëm si ambasador, por dhe si përfaqësues amerikan i viteve të shpalljes së pavarësisë. Jeff ka qenë njohës i mirë i Kosovës, ka qenë përfaqësues i mirë i interesave strategjike të SHBA-ve në Kosovë; dhe mbi të gjitha kujdestar i përkushtuar i relacioneve mes dy popujve!

Jeff, ka qenë pasionant i futbollit kosovar. Kemi ndjekur bashkë lojëra të shumta të Kombëtares së Kosovës. Në LDK, u kujdesëm që si gjysh i 6 mbesave e 1 nipi që është – me të kthyer në shtëpi, t’u dhurojë atyre nga një fanellë të kombëtares sonë me emrat e tyre në to. T’i mbajnë si kujtim të përhershëm nga shteti i fundit ku ai shërbeu si ambasadorë.

LDK pret të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë dhe historik me ambasadorin e ri të administratës së re, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sepse lidhja jonë është ideologjike, është insitucionale, është afatgjate – tash e 35 vjet!”, shkruan Abdixhiku. /Telegrafi/

Exit mobile version