Thiago Silva mund të përballet me një dënim nga Federata Angleze (FA), pasi u shfaq duke thyer protokollet e bëra për mbrojtje nga coronavirusi.
Mbrojtësi brazilian, 36 vjeç, i hodhi fanellën një punëtori që punonte në tribunën e re në stadiumin Craven Cottage pas fitores së Chelsea 1-0 ndaj Fulhamit.
Megjithatë, lojtarëve u është thënë që nuk lejohen të ndërrojnë ose të japin fanellat e tyre pas protokolleve të reja të rrepta në Ligën Premier.
Javën e kaluar shefi ekzekutiv i Ligës Premier, Richard Masters, u shkroi klubeve për të “theksuar rëndësinë kritike të respektimit” të rregullave të përforcuara.
Disa ndeshje janë shtyrë në javët e fundit me përhapjen e variantit të ri midis skuadrave të Ligës Premier.
Përplasja e Aston Villas me Evertonin ishte e fundit që u anulua me një shpërthim të vazhdueshëm të infektimeve në klube.
Liga Premier pritet tani të shikojë veprimet e Silvas dhe të përcaktojë nëse nevojitet ndonjë dënim karshi gjestit të tij.
Udhëzimet e reja pohojnë gjithashtu se nuk lejohen “shtrëngime duarsh dhe përqafime”. /Telegrafi/