Nora Gjakova ka fituar të hënën medaljen artë në kategorinë deri në 57 kilogramë, duke shkruar kështu historinë për Kosovën në Lojëra Olimpike që po mbahen në Tokio të Japonisë.
Në finale, xhudistja nga Peja ka mposhtur francezen Sarah Leoine Cysique, duke siguruar kështu suksesin e saj më të madh në karrierë.
Në një intervistë për KosovaPress, Nora thekson se ballafaqimi me francezen Leoine Cysique ka qenë një luftë e fortë. Ndonëse nuk i ka pëlqyer sjellja e kundërshtares për mënyrën e veprimit të saj gjatë mundjes.
“Ka qenë një luftë shumë e fortë dhe në fillim kundërshtarja ka qenë më e mirë pak dhe për atë jam dënuar me një karton për pasivitet. Kam qenë e bindur se do të fitoj, se e pash që ajo veç filloi të lodhej, ku fillova t’i bëj presion më tepër”.
“Nuk është që pata dëshirë të përfundojë ashtu finalja në lojëra olimpike, por prapë se prapë është vendim i referit, pasi që është e ndaluar ajo çka bëri francezja me ra me qafë për shkak të lëndimeve. Ky ishte vendimi i referit dhe medalja më takon mua, medalja e artë”, theksoi ajo.
Xhudistja ka treguar po ashtu se medaljen e artë ia dedikon trajnerit, familjes dhe gjithë Kosovës.
“Së pari ia dedikoj trajnerit tim, sepse nuk është lehtë të punosh me dikë për 20 vjet dhe të mendosh që ndoshta një ditë ka me ndrit sportin dhe me ia kushtuar gjithë atë kohë. Pastaj familje, të njëjtin rrugëtim që e kemi bërë ne, e kanë bërë edhe ata.
“Nuk është e lehtë t’i kesh dy – tre sportistë në familje. Po ashtu, ia dedikoi nënës, babës, që më ka orientuar në sport, dhe nënës që gjithmonë na vendos në rend të parë pastaj edhe të tjerët. Pastaj gjithë ekipit që me të vërtetë kanë qenë të mrekullueshëm, na kanë ndihmuar shumë. Kështu që kjo medalja iu takon edhe atyre, dhe normal krejt Kosovës”, është shprehur Nora.
Njëherësh, xhudistja nga Peja pret që të fitojë medalje të artë edhe kolegia e saj, Loriana Kuka.
“Ne gjithë ekipi kemi ardhur këtu me qëllim të pastër, ‘Medalja olimpike’, të gjithë kemi qenë të radhitur prej më të mirëve, Akili veç ka qenë jashtë që i ka kushtuar edhe të ketë më tepër ndeshje. Shpresoj shumë edhe në paraqitje të mirë të Lorianës, ajo veç është medaliste evropiane e botërore, megjithëse medalja olimpike është e vetmja ajo që i mungon. Shpresoj që ka me jap më të mirën”, ka shtuar Gjakova.
Kujtojmë se kjo është medalja e dytë e artë për Kosovën, pasi ishte edhe Distria Krasniqi, ajo që siguroi një të tillë në kategorinë -48 kg.