Site icon Telegrafi

I masakruemi

Mark Harapi (1890-1974), sipas një vizatimi me autor të panjohur

(Kujtim i nji kohe që mos u përsrittë ma)

Nga: Pjetër Logoreci

Dikur, si nxanës 12 vjeçar, u kthejshe n’shpi te Arra e Madhe, tuj kalue nëpër nji rrugicë t’qetë t’Shkodres, ku gjindet shpia e Pashko Vasës. Ashtu si misteri i dyerve t’vjetrueme e i mureve t’nalta t’ksaj rrugice, m’kuriozonte edhe nji kalimtar i moshuem, me pamje t’mjerueme e t’lodhun, që përshkohej aty pothuejse çdo mesditë.

Kasketa e vjetër e rrasun mbi sy, nuk pengonte me vrojtue te i mjeri, tiparet e nji burrit fisnik, me fytyrë t’mprehtë, me sy gri e autoritar, mustakë t’thinjun e t’dendun, e nji hundë me kurriz, si shkabë malesh …

Korpi i tij kocë e lkurë, i mbluem me nji pallto t’vjetër t’arnueme, kambët me plagë e shika prej galosheve t’çame që i tërhiqte zvarrë, dy duer t’thata plot njolla t’zeza që i dridheshin, qindronte n’kambë ndihmue prej nji bastuni t’moçëm me dru bjeshket.

Baba em m’diftoj, që ky skamnuer ishte Atë Mark Harapi, nji gjigand i atdhetarisë, poliglot, filosof e përkthyes i veprës s’Aleksander Manzonit, që dha ndihmesen e tij intelektuale n’fusha t’veçanta t’kulturës shqiptare. M’diftoj që u “shpërblye me 20 vjet burg e internim politik” dhe që mbijetonte nga lëmoshat e qytetarve t’Shkodres.

… por, atë çka ndodhi me te, nji ditë t’akullt dimni t’vjetit 1969, tronditja e trishtimi ma mbyllën n’menden e n’zemren teme fmijnore për mos me e harrue kurr ma …

N’mesditen e asaj dite t’kristalizueme, tuj çapitë kadalë, skamnori plak po bante metrat e fundit për me mbrritë te dera e nji familjes zemerbardhë, që, për mshirë, shpenzonte çdo ditë vaktin e mesditës për te, kur … nga bryli i rrugës (tek shpija e Gjonejve), po shihet nji alamet burri. Veshja tij, pardesyja teritalit me rryp në mes, pantallonat e ngrituna mbi nyje t’kambës si dhe kasketa stil kinez, i jepte atij nji pamje qesharake, por t’frigshme sigurimsit.

Mbasi ktheu kryet mbrapa, siç duket me u sigurue që ishte vetëm, tuj injorue prezencën teme, ju afrue plakut dhe filloj me i folë tanë inat e zëmrim, me nji ton urrejtje që mue m’drithtoj ma shumë se t’ftohtit. Shfrynte, shante e turfullonte me egërsi tuj i pengue rrugën viktimës, deri që e rrasi për mure … Mandej, zgjati doren tuj e mbërthye t’mjerin e pafuqishëm prej jaket, e afroj drejt vedit dhe e pështyu mbi ftyrë.

Atë Marku, i mbeshtetun mundishëm mbi bastuni e vet, tuj mos dashtë me u përballë me t’keqin, u mundue pa bëza me i kthye shpinden, tuj vazhdue rrugën. Sigurimsi, që u ndi i sfiduem, me sa fuqi pat, i shkelmoj bastunin plakut i cili hupi drejtpeshen e u rrëzue tuj përplasun mbi ngricën e rrugës kryet e ftyren, që ju mblue n’gjak.

Edhe sot e ksaj dite, nuk di se si nuk m’plasi zemra, tuj mbetë i palëvizun si gur zallit, i pafuqishëm me vu dorë mbi çka ndodhi. Ndër kohë, nji grue shpijake që siç duket, mbas grilave, e kishte vrojtue krejt ndodhin, duel prej nji dere tuj i ofrue ndihmë Atit të plaguem që tregonte me dorë e sy kah dera e mëshirës, aty afër …

Exit mobile version