Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, sot do të udhëtojë për në Uashington, ku do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit amerikan, me qëllim të koordinimit rreth procesit të dialogut.
Hyseni para nisjes tha se në Bruksel po zhvillohen negociata të vështira për elementet e marrëveshjes finale e cila, sipas tij, ka për synim njohjen reciproke me Serbinë.
Ndryshe, të enjten në Bruksel, ai zhvilloi një raund tjetër bisedimesh me Serbinë në nivel ekspertësh.
Skënder Hyseni i cili është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është emëruar koordinator shtetëror për dialogun e Kosovës me Serbinë më 21 korrik.
Skënder Hyseni ka qenë ministër i parë i Punëve të Jashtme i Kosovës nga viti 2008 deri 2010, ndërsa nga viti 2014 deri në vitin 2017 ministër i Punëve të Brendshme. Ai ka qenë deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës për disa legjislatura me radhë.
Dialogu Kosovë-Serbi pas një takimi virtual më 12 korrik ka rifilluar me takime në Bruksel më 16 korrik mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pas më shumë se 20 muajsh qëkur ishte ndërprerë ky proces, me arsyetimin e Serbisë se nuk mund të ketë dialog me kushte, pasi Kosova vendosi taksën ndaj mallrave serbe.
Një takim tjetër në kuadër të këtij procesi është paralajmëruar në fillim të shtatorit të këtij viti.