Ish-koordinatori nacional për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni ka thënë se ai nuk ka pasur ndonjë ftesë nga Qeveria që të jetë pjesë e dialogut, duke shtuar se edhe po të kishte ndonjë ftesë ai do të refuzonte.
Hyseni këtë sqarim e ka bërë pasi në disa media është raportuar se ai ka pranuar të jetë pjesë e dialogut në Qeverinë Kurti 2, transmeton Telegrafi.
“Duke e vlerësuar kureshtjen legjitime të medias, këtu po jap sqarimin tim për të gjithë. Unë nuk jam pjesë e ekipit dhe nuk kam pranuar as ftesë. Për më tepër, edhe po të kishte një ftesë të tillë, përgjigja ime është e prerë. JO”, thotë ai.
Tutje, ai ka treguar se pse do të refuzonte të ishte pjesë e dialogut.
“Nuk jam dhe nuk dua të jem pjesë e asnjë ekipi, sepse nuk besoj se Zoti Kurti është i vetëdijshëm se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë me njohje përfundimtare reciproke si shtete të pavarura është sot prioriteti numër NJË i shtetit tonë. Duke ruajtur integritetin dhe karakterin unitar kushtetues, Kosovës i duhet një marrëveshje për njohje urgjentisht. Pra! Ka shumë rëndësi çfarë flet Kurt. Ai thotë se dialogu nuk është prioriteti i tij!!! Duket se preferohet zvarritja dhe status-quoja, që unë besoj janë gabime strategjike në dëm të Kosovës, sepse ky është realiteti”, shton më tej Hyseni.
Tutje ai ka shkruar se “gjithnjë jam angazhuar për konsensus të gjerë rreth çështjeve të interesit nacional”.
“Besoj se partitë parlamentare duhet të gjejnë forcën dhe guximin të tejkalojnë lojërat e vogla politike dhe të bashkohen në dialog me Serbinë. Zoti Kurti e ka mandatin dhe përgjegjësinë të ndërtojë konsensusin dhe të bëj dialogun. Për aq sa kam parë deri më tani, edhe pse e ka mandatin e plotë, kam frikë se Zoti Kurti nuk ka as guxim e as kompetencë që të marr përgjegjësinë për dialogun”, pohon Hyseni.
Ndryshe, edhe nga Qeveria e Kosovës kanë konfirmuar për Telegrafin se Hyseni nuk do të jetë pjesë e dialogut me Serbinë.
“Ashtu siç edhe ka deklaruar deputeti Arber Rexhaj, z. Hyseni gjatë muajit të kaluar është ftuar jo për të qenë pjesë e dialogut por për një takim konsultativ për të diskutuar mbi ecurinë dhe zhvillimet në procesin e dialogut gjatë kohës sa ai ishte koordinator shtetëror për dialogun me Serbinë. Kjo është bërë publike edhe nga vet z. Hyseni në një deklarim të tij. Është normale që personi që për gati 9 muaj ka qenë përgjegjës për dialogun të ftohet për takim pune në shërbim të përgatitjeve të qeverisë së re për këtë proces. Megjithatë, z. Hyseni nuk është dhe nuk do të jetë pjesë e dialogut apo ndonjë ekipi për dialog”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditën e martë ka thënë se do të ketë një takim me liderët e opozitës për të diskutuar për një platformë dialogu me Serbinë.
Kurti tha se do të shqyrtohen edhe marrëveshjet e arritura deri më tani nga qeveritë paraprake. /Telegrafi/