Telegrafi

Hyseni flet për barazimin me Trepçën ’89 si dhe tregon arsyet pse mungoi Zekirija Ramadani

Trepça ’89 dhe Gjilani kanë luajtur baras në kuadër të xhiros së 13-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Pas 90 minutave në ‘Riza Lushta’ rezultati ishte i barabartë 1-1, me Baton Zabërgjën që shënoi për mysafirët dhe Christian Mba që barazoi shifrat për vendasit.

Në këtë duel Gjilanin e udhëhoqi ndihmësi Alban Hyseni pas trajneri i parë Zekirija Ramadani ka munguar për arsye shëndetësore.

“Trajneri nuk ka qenë edhe në stërvitje dje, pasi është në gjendje të rëndë shëndetësore. Kjo është arsyeja e vetme që ai ka munguar”.

“Pavarësisht gjendjes së keqe, ai nuk ka munguar në asnjë stërvitje, por mungesa e tij është gjendja shëndetësore”, deklaroi Hyseni, që foli edhe për ndeshjen.

“Që në fillim të takimit ishim me një lojtar më shumë në fushë dhe këtë mundësi e shfrytëzuam vetëm në pjesën e parë. Në pjesën e dytë tentuam të shënojmë, por pësuam gol nga një kundërsulm”.

Krejt në fund ndihmës trajneri i Gjilanit foli edhe për gjendjen e Përparim Islamit i cili u largua nga loja në minutën e 10-të pas një lëndimi të pësuar.

“Ka një lëndim, por gjendja e tij është stabile. Kjo informatë më erdhi menjëherë pas përfundimit të ndeshjes”, ka thënë Hyseni. /Telegrafi/