Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, duke komentuar raportin e komisionit të ri për demarkacionin, të kryesuar nga Shpejtim Bulliqi, ka theksuar që ky komision ka dështuar të argumentojë humbjen e territorit.
Ai madje e ka thënë që kjo është një fyerje për qytetarët e Kosovës, që sipas tij, kanë ngelur peng të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, pa liberalizim të vizave.
“Një konstatim i tillë pa asnjë rekomandim, përveç që është amatoresk është edhe budallallëk që fyen secilin qytetarë të Kosovës, që qëndron i izoluar tash e sa vite për shkak të një kauze të ndërtuar tërësisht artificialisht”
“Po të dilte edhe me një argument, qofte më të voglin, se Kosova ka humbë territor, do të isha i pari që do të dilja të kërkoja falje”, ka thënë Skender Hyseni, në një intervistë në Zona B të Klan Kosovës.
Hyseni vlerësoi që themelimi komisionit të ri dhe raporti i prezantuar nga ky komision, është “një lojë e pakuptueshme dhe e papranueshme që bëri Haradinaj me qytetarët”, njofton Klan Kosova.
Hyseni, ka thënë se beson që marrëveshja e arritur me Malin e Zi për demarkim të kufirit duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, duke nënvizuar se idetë dhe bazat e argumentimit të komisionit të ri të formuar për këtë çështje janë të rrezikshme.
Ai ka deklaruar se ky komision dhe vetë kryeministri Ramush Haradinaj po luajnë me qytetarin e Kosovës, duke e lënë të izoluar, për shkak të një kauze të paqenë, ndjekja e së cilës mund ta hapë Kutinë e Pandorës.
“Ka shumë njerëz aktiv në politikën e Kosovës që e kanë nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, por siç duket kanë harruar çka kanë nënshkruar. Në kohën e negociatave, kishte variante të ndryshme për atë se cila datë duhej të merrej si bazë për vendosjen e kufirit tonë. Dhe me insistimin tonë, Marti Ahtisaari u bind që të merrej territori si më 31 dhjetor të vitit 1988”.
“Po dëgjoj njerëz që ëndërrojnë ditën, që flasin për marrjen për bazë të vitit 1945(për demarkim të kufirit me Malin e Zi). Por në atë kohë ne kemi qenë nën administrim të dhunshëm, me një dekret të veçantë të Josip Broz Tito. Nëse ne vendosin të marrim për bazë ndonjë datë para vitit 1974, atëherë ne do ta hapim Kutinë e Pandorës”.
“Loja që ka bërë komisioni dhe ajo që ka bërë kryeministri Ramush Haradinaj, është në fund të fundit lojë me qytetarin e Kosovës, që mbetet i izoluar, pa të drejtën e qarkullimit në botë, si qytetar i lirë”.
Hyseni, për të ilustruar raportet e mira që sipas tij ka Kosova me Malin e Zi, ka përmendur një takim me homologun e tij, sa ishte ministër i Punëve të Jashtme, ndërsa ka theksuar se Kosova gabon nëse dëmton këto raporte, por akoma më shumë nëse tenton të shmang kriteret me të cilat kanë demarkuar kufijtë mes tyre të gjitha ish-njësitë federative të Jugosllavisë.
“Unë kam pasur një takim, të fshehtë, sepse ashtu i duhej Malit të Zi, me atëbotë ministrin Milan Rocen, i cili më pati thënë atëherë se do ta njohin pavarësinë e Kosovës, kur të na duhet më së shumti. Dhe kjo ka ndodhur. Mali i Zi e ka njohur Kosovën të pavarur në ditën kur Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Përgjithshëm vendosi që t’ia adresojë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë pyetjen e nisur nga Serbia, nëse pavarësia e Kosovës ishte e ligjshme”.
“Çdo shmangie nga kriteret e vendosura nga Komisioni i Badinterit, Kosovën do ta fuste në një rreth vicioz të pafund negociatash dhe paqartësish. Ne e kemi vendosur kufirin me Maqedoninë dhe me Malin e Zi, që shpresoj se do të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës”, tha Hyseni. /Klan Kosova/