Telegrafi

Hysaj, Berisha e Manaj me rroga për ‘gjynah’!

Elseid Hysaj ka arritur të thyejë gjithë paragjykimet pas transferimit të tij nga Empoli te Napoli gjatë muajve të verës.

Mbrojtësi shqiptar është një emër i padiskutueshëm në 11-shen e Maurizio Sarrit duke i rrëmbyer vendin Cristian Maggios, por ai nuk është mjaftuar me kaq, pasi shpesh herë është cilësuar si mbrojtësi i djathtë më i mirë i Serie A.

Gjatë verës ai nënshkroi një kontratë fitimprurëse për xhepat e tij me 600 mijë euro në sezon, por krahasuar me atë të lojtarëve të tjerë të skuadrës së kaltër, Hysaj mbetet pas.

Sipas një klasifikimi të publikuar nga e përditshmja “Corriere Dello Sport”, mbrojtësi kuqezi mban vendin e 20 në këtë klasifikim me pak më shumë se gjysmë milionë euro në sezon që gjithsesi është një shumë disa herë më e madhe se ajo që ai përfitonte te Empoli.

Më shumë se mbrojtësi shqiptar marrin edhe lojtarë si Strinic, Gabriel, Omar El Kaddouri apo Rafael.

Lojtari më i paguar te Napoli është Gonzalo Higuain i cili përfiton pothuajse 10 fishin e pagës së Hysajt, i ndjekur nga Marek Hamsik, Jose Callejon e Pepe Reina.

Ndërkohë, në Romë, Etrit Berisha arkëton 100 mijë euro më pak se Hysaj me saktësisht 500 mijë euro në sezon.

Një shumë e vogël për atë që gardiani shqiptar ka treguar gjatë këtyre tre sezoneve te klubi i presidentit Lottito. Pas portierit shqiptar në hierarkinë e pagave të Lazios renditen vetëm 4 lojtarë.

Një tjetër shqiptar, ai i Interit, Rey Manaj mbyll listën e pagave të Interit me 80 mijë euro në sezon, duke u bërë lojtari më pak i paguar në të gjithë grupin e drejtuar nga Mancini ku Kondogbia mban vendin e parë me 3.5 milionë.

Në krye të listës së lojtarëve më të paguar të Serie A figuron një italian. Ai është zv/kapiteni i Romës, Daniele De Rossi me 6.5 milionë euro në sezon, ndërsa Paul Pogba mbyll treshen e parë me 4.5 milionë euro.