Tash e disa ditë qytetarët mund t’i shikojnë ndeshjet dhe përjetojnë emocionet e Kampionatit Evropian në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtina Football Fest.
Megjithatë, këto ditë pati dezinformata rreth hyrjes në këtë event për shkak të një incidenti që ndodhi me një person, i cili edhe më pas u arrestua nga Policia e Kosovës.
Telegrafi ka qenë i pranishëm në pjesën e organizimit për të pyetur qytetarët nëse kanë paguar për të hyrë brenda apo i është kërkuar diçka tjetër.
Ata kanë mohuar kategorikisht këtë duke thënë se nuk ka asgjë të vërtetë dhe se po iu pëlqen atmosfera që po krijohet këtu.
“Nuk kam paguar asgjë. Organizimi shumë i mirë. Ato më duket se ishin vetëm thashetheme se nuk kam paguar asgjë për hyrje”, tha një qytetar.
Një tjetër shtoi: “Nuk kemi paguar dhe nuk na është kërkuar asgjë tjetër”.
“Asnjë pagesë nuk e kemi bërë”, “Nuk kam paguar asgjë, vetëm kam hyrë” – qenë disa nga përgjigjet e tjera.
Në lidhje me këtë është prononcuar edhe organizatori i KD Events & Communication, Kushtrim Demiri.
“E kemi bërë publike tash e 12 vjet ka qenë hyrja falas, mundeni me dëshmu edhe tani që është falas. Pjesa brenda, kush vjen i pari ulet i pari, është parimi kryesor sepse ka varësisht prej peshës së ndeshjeve, te Shqipëria ka qenë më ndryshe, prej orës 18:00 kemi pasur njerëz që kanë pritur. Kuptohet ata që janë hyrë brenda kanë hyrë”, tha Demiri.
“Fatmirësisht nuk kemi pasur probleme, kemi marrë masa, kemi reaguar, nuk ka pasur asnjë lëndim brenda rrethojave të organizimit”, thekson tutje Kushtrimi. /Telegrafi/