Telegrafi

“Hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë ishte momenti më i rëndësishëm në jetën time”, flet koloneli britanik Martin Browning

Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, në vendin tonë kanë qëndruar ish-oficerët e Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar, të cilët ishin pjesë kontigjentit të trupave të NATO-s, që hynë në Kosovë më 12 qershor të  vitit 1999.

Për shumë prej ushtarakëve britanikë, kjo është vizita e parë në Kosovë, pas 25 vitesh.

Koloneli britanik, Martin Browning, thotë se hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë ishte momenti më i rëndësishëm i jetës së tij.

“Ishte një nga momentet më të rëndësishme të jetës sime. 12 qershori ishte një seri ngjarjesh shumë interesante për mua. Ardhja për herë të parë në Kosovë dhe duke përjetuar çlirimin e një vendi – jo nga unë personalisht, por me forcat tona dhe tuaja dhe gjithashtu UÇK-në. Kështu që ishte një punë vërtet e madhe për mua”, tha ai për Telegrafin.

Martin Browning, kolonel Anglez

Tani 25 vite më vonë, Kosova për kolonelin është krejtësisht ndryshe nga ajo që ai e kishte lënë.

“Jam shumë i inkurajuar. Është një vend shumë i ndryshëm nga 25 vite më parë. Njerëzit këtu kanë bërë një sukses të lirisë dhe demokracisë. Ju përgëzoj të gjithëve”, shprehet ai.

Gjithashtu Browning ka një mesazh për të rinjtë e Kosovës.

“Vazhdoni të bëni atë që po bëni. Unë kam dërguar shumë të rinj në kurse në Mbretërinë e Bashkuar. Kam punuar këtu para nja dy vitesh si këshilltar i mbrojtjes, dhe ata gjithmonë përformojnë në nivelin më të lartë: akademik, fizik dhe ushtarakisht gjithashtu. Vazhdoi kështu”, përfundon ai.

Gjatë vizitës në Prishtinë të gjithë oficerët britanikë u pritën nga kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, dhe u nderuan me çmimin “Helmeta Ilire”, e cila do t’ua kujtojë Kosovën, mbase edhe të vijnë prapë për ta vizituar. /Telegrafi/