Në kuadër të planit operativ për ngritjen e sigurisë në trafik në rajonin e Prishtinës, gjatë kësaj jave vozitësve u janë konfiskuar 32 patentë shoferë për mos respektim të sinjalizimit të semaforëve.
Policia e Rajonit të Prishtinës respektivisht, Njësiti Rajonal i Trafikut rrugor, po vazhdon me implementimin e planit operativ për kontrollin e shtuar në trafik me fokus të veçantë ndaj ngasësve të cilët nuk respektojnë sinjalizimet e semaforëve.
“Në kuadër të këtij plani, gjatë kësaj jave, janë shqiptuar 32 gjoba dhe janë konfiskuar po aq patentë-shoferë për tre muaj”, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton Telegrafi.
Sipas Policisë ky operacion do të këtë shtrirje në të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës dhe do të vazhdoj deri sa të vlerësohet që është arritur efekti i dëshiruar. /Telegrafi/