Site icon Telegrafi

Hyn në rend dite vendimi i Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente për energjinë – opozita e kundërshton

Foto: Arkiv

Në mesin e shumë kritikave nga opozita, megjithatë është futur në rend dite në seancën e sotme të Kuvendit, vendimi i Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji elektrike.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila fillimisht propozoi mocion procedural për ta futur si pikë të rendit të ditës këtë vendim.

“Propozojmë vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji. Qëllimi i këtij vendimi është që këto masa të zgjaten edhe për 30 ditë të tjera. Duke ditur rëndësinë e këtij vendimi kërkojmë që ky vendim të futet në rend dite sot dhe të votohet”, tha Kusari-Lila.

E kundër këtij mocioni ishin PDK e LDK.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se është hera e katërt që sillet në kësi forme një mocion për çështjen e energjisë.

“Do të ishte normale që sot ne ta kishim në rend dite sektorin energjetik por në procedurë të rregullt. Është e pakuptimtë sesi ka mundësi qeveria katër herë radhazi ta vazhdoj mandatin e krizës energjetike pa procedurë të rregullt. E keni dit që 6 muaj kur skadon afati, pse nuk po na jepni mundësi të bashkëbisedojmë në mënyrë të rregullt për krizën energjetike”, tha Shala.

Ai ju drejtua Qeverisë se e dinë që i kanë numrat, por po e ngufasin debatin dhe po fshehin të vërtetën.

“Hiqeni nga rendi i ditës këtë mocion dhe futeni në rend dite në mënyrë të rregullt. Ne jemi kundër këtij mocioni”, tha Shala.

E deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj në emër të grupit parlamentar të kësaj partie tha se abstenojnë.

“Nisur nga fakti që tash e 1 vit pothuajse shumica e veprimeve të qeverisë karshi kësaj gjendje janë pa ndonjë agjendë serioze LDK abstenon”, tha Selmanaj.

Në fund nga 76 deputetë të pranishëm, 57 votuan pro, 10 kundër dhe 5 abstenuan. /Telegrafi/

Exit mobile version