Site icon Telegrafi

Hungaria e gatshme të investojë në Podujevë

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, me të cilin ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit të Komunës së Podujevës dhe kompanive hungareze në sfera të ndryshme.

Siç bëhet e ditur, në takim, kryetari Veliu e informoi ambasadorin Markusz me investimet që janë bërë në komunën e Podujevës, por edhe me mundësitë që ofron rajoni Llapit për zhvillimin e bujqësisë.

“Komuna e Podujevës ka bërë mjaft në ndërtimin e infrastrukturës për të krijuar kushte për investitorët nga jashtë në shumë sektorë, veçmas në bujqësi. Investitorët nga Hungaria do të mund të ndihmonin me investime në rrjet të ujësjellësit, në trajtimin e ujërave të zeza dhe mbeturinave”, citohet të ketë thënë kryetari Veliu, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me biznesmenët hungarezë.

Ndërkaq, shtohet më tej, ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, konfirmoi gatishmërinë që Komunës së Podujevës t’i ndihmohet në trajtimin e ujërave të zeza dhe mbeturinave.

Ai ka premtuar se do të angazhohet në sjelljen e investitorëve hungarezë në Podujevë.

“Podujeva është një regjion i rëndësishëm i bashkëpunimit me Hungarinë në fusha të ndryshme. Ne jemi të interesuar të investojmë edhe në zhvillimin ekonomik të kësaj komune dhe për këtë qëllim shumë shpejt do të vijnë për vizitë në Podujevë biznesmenë të fushave të ndryshme nga Hungaria”, thuhet të ketë thënë ambasadori Markusz. /Telegrafi/

Exit mobile version