Site icon Telegrafi

Hungarezët protestojnë kundër “rrjetit propagandistik mediatik” të operuar nga qeveria e Orbanit

Mijëra protestues janë mbledhur jashtë selisë së korporatës publike të medias hungareze për të demonstruar kundër, siç thonë ata, një rrjeti propagandistik të operuar nga qeveria nacionaliste.

Bëhet e ditur se protesta u organizua nga figura më e shquar e opozitës hungareze, Peter Magyar.

Ai drejton partinë TISZA, e cila është shfaqur muajt e fundit si sfida më serioze politike për kryeministrin Viktor Orban që kur mori pushtetin gati 15 vjet më parë.

Magyar, partia e të cilit mori gati 30% të votave në zgjedhjet e BE-së këtë verë, është shprehur hapur për atë që sheh si dëmin që “fabrika e propagandës” e Orbanit i ka bërë demokracisë në Hungari, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

“Përsëritni një gënjeshtër mjaft herë dhe njerëzit do ta besojnë se është e vërteta. Kjo është këshilla e Adolf Hitlerit për Fidesz, për propagandën e partisë në pushtet. Çfarë po ndodh sot në Hungari në 2024 nën emrin e shërbimit publik është një skandal global”, tha Magyar.

“Mjaft me neveritë, mjaft gënjeshtra, mjaft propaganda. Na ka mbaruar durimi. Ka ardhur koha për ballafaqim”, shtoi ai.

Siç raportohet, vëzhguesit hungarezë dhe ndërkombëtarë kanë paralajmëruar prej kohësh se liria e shtypit në vend është nën kërcënim dhe se partia e Orbanit ka përdorur blerjet e mediave për të ndërtuar një perandori mediatike pro-qeveritare.

Mbikëqyrësi i medias Reporterët pa Kufij vlerëson se blerje të tilla i kanë dhënë partisë së Orbanit kontrollin e rreth 80% të burimeve të tregut mediatik të Hungarisë.

Në vitin 2021, grupi e vendosi Orbanin në listën e tij të “grabitqarëve” mediatik, lideri i parë i BE-së që u emërua si i tillë.

Ndryshe, Magyar kërkoi dorëheqjen e drejtorit të medias publike dhe u bëri jehonë ankesave të shumë politikanëve të opozitës.

Ai i thirri mbështetësit e tij në një tjetër demonstratë më 23 tetor, një festë kombëtare që përkujton revolucionin e dështuar të Hungarisë kundër dominimit sovjetik në vitin 1956. /Telegrafi/

Exit mobile version