Profesori i gjeografisë, Fitim Humolli, i cili është larguar nga përbërja e komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, e ka kritikuar këtë komision për politizim dhe joprofesionalizëm.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka sqaruar se vetëm dy-tre anëtarë të këtij komisioni kanë qenë profesionistë të fushës.
Madje, sipas tij, komisioni nuk e ka bërë matjen e pretenduar të territorit të Kosovës. Humolli ka vlerësuar se komisioni për matjen e territorit është formuar vetëm për ta arsyetuar punën e komisionit shtetëror, i cili e ka bërë demarkacionin me Malin e Zi.
“Dua të sqaroj se ky komision nuk është formuar për ta bërë matjen e territorit. Emrin e ka si komision për matjen e territorit, por ky komision në pjesën më të madhe është i ndërtuar me figura politike”, ka thënë Humolli.
Ai ka sqaruar se gjatë tërë kësaj kohe është munduar t’u tregojë kolegëve se sipërfaqja e vendit nuk matet në këtë mënyrë dhe se, kur ka parë draftin final të këtij komisioni, ka vendosur përfundimisht të largohet. /Telegrafi/