Telegrafi

Humolli: Kam bërë përpjekje ta anuloj Gjykatën Speciale

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Fatmir Humolli, i cili po dëshmon në rastin e Salih Mustafës, në seancën e së mërkurës ka thënë se si deputet ka bërë përpjekje që të anulojë Gjykatën Speciale.

Por, sipas tij, nuk ka gjetur mbështetje të mjaftueshme nga deputetët.

“Kam bërë përpjekje që deputetët ta anulojnë këtë gjykatë, por ende nuk kam gjet mbështetje te deputetët”, tha Humolli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Humolli theksoi se është skeptik se kjo gjykatë mund të japë gjykime të drejta dhe se këtë skepticizëm po ia fuqizon mënyra se si po pyetet.

“Ende nuk janë krijuar kushtet me shfuqizu, por në momentin e parë që do të krijohen mundësitë, kjo gjykatë nuk do të jetë më prej Kuvendit të Kosovës”, shtoi ai.

Ndryshe, Humolli e ka filluar dje deklarimin e tij në gjykimin që po zhvillohet për krime lufte ndaj Salih Mustafës.