Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, është zhvilluar ndeshja ndërmjet Përfaqësueses së Kosovës në basketboll dhe asaj të Rumanisë, në kuadër të Grupit B të parakualifikimeve për ‘Eurobasket 2021’. Ekipi nikoqir pësoi humbje me rezultat 75-79.
Basketbollistët tanë bënë një çerek të parë mbresëlënës, gjatë të cilit i shënuan 21 pikë, ndërsa i pranuan 14 sosh.
Mirëpo, në dhjetëminutëshin e dytë, skuadra kundërshtare bëri paraqitje më të mirë duke i shënuar tetë pikë më shumë (17:25) dhe me një pikë epërsi (38-39) shkoi në pushim.
Dardan Berisha ishte më efikasi për Kosovën në pjesën e parë (14 pikë), i ndjekur nga Erjon Kastrati (10 pikë).
Skuadra nikoqire bëri një rikthim në rezultat në fraksionin e tretë të lojës (23:17), të cilën dëshironte ta fitonte me mbështetjen e tifozëve në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.
Mirëpo, humbja në çerekun e fundit (14:23) bëri që Përfaqësuesja jonë ta humbte edhe ndeshjen (75-79).
Dardan Berisha vazhdoi të ishte më efikasi deri në fund të sfidës me 22 pikë të shënuara, ndërsa pas tij qëndroi Kastrati me 20 pikë.
Kosova bën gara në Grupin B, ku në tri ndeshjet e para kishte pësuar tri humbje duke u mposhtur dy herë nga Maqedonia dhe një herë nga Rumania. Ndërsa kjo ishte humbja e katërt dhe e dyta nga Rumania. /Telegrafi/