Tragjedia për familjen Metko me banim në Kanada, po bëhet edhe më e madhe, pasi Maralba Metko, pasi humbi në aksident burrin dhe djalin, tashmë ka rënë në gjendje kome.
Ilir Kuqi, kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze të Calgary, thotë se Maralba Metko, të cilës i vdiqën në aksident burri dhe djali, është në gjendje kritike për jetën dhe mbetet në gjendje kome ndërsa vajza e saj nëntë vjeçare Brianna po shkon drejt një përmirësimi, së paku fizikisht.
Komuniteti shqiptaro-kanadez i Calgary po i vjen në ndihmë anëtarëve të mbijetuar të familjes Metko, dy prej të cilëve mbeten të vdekur në një aksident në autostradën e Ontarios të dielën e kaluar.
Fatos Metko, 45 vjeç, dhe djali i tij Fioralb Metko, 14 vjeç, vdiqën kur automjeti i tyre në lëvizje goditi një kafshë, pastaj u përplas me një automjet tjetër që po vinte përballë.
Nga ky aksident gruaja e shqiptarit, Maralba (tashmë në gjendje kome) dhe vajza e tij Brianna pësuan lëndime të rënda.
Në momentin e aksidentit familja shqiptare po udhëtonte drejt Ontarios, për të parë mundësinë e zhvendosjes atje./Telegrafi/