Gjatë ditës së sotme ka ndërruar jetë edhe një person si pasojë e infektimit me COVID-19 në Kosovë.
Bëhet fjalë për një person të moshës 70-vjeçare nga Livoqi i Epërm.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
“Humb betejën me #COVID19 edhe një qytetar nga Livoqi i Epërm i Gjilanit, Q. S. 1950, i testuar pozitiv me 24 korrik dhe i hospitalizuar ne Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit. Ngushëllimet më të sinqerta familjes. Edhe 125 qytetarë po e vazhdojnë betejën për jetë normale. Ju lutem, rriteni kujdesin, mbajeni distancën dhe zbatoni masat mbrojtëse kundër #COVID19!”, ka shkruar Haziri.
Po ashtu, një 32-vjeçar i dyshuar me COVID-19 ka vdekur të shtunën mbrëma në Pejë. Spitali i Përgjithshëm i Pejës njofton se ai kishte kryer testin, por ende nuk kishte pasur rezultat.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, numri i rasteve aktive ka shkuar në 2 mijë e 995. Numri total i rasteve pozitive në Kosovë ka arritur në 6 mijë e 917 që nga 13 marsi kur u konfirmuan rastet e para.
Kurse deri më tani, 169 persona e kanë humbur betejën me COVID-19 në Kosovë. /Telegrafi/