I maskuar si humanist, një shtetas francez po punon kundër shtetit të Kosovës. Arnaud Gouillon para dy ditësh tentoi të vijë në Kosovë kinse për të shpërndarë ndihma tek popullata serbe. Por, atë e ndaloi policia e Kosovës.
Në pikë kalimin kufitar në Merdare francezi që ka edhe shtetësi të Serbisë u ndalua nga Policia.
Pas marrjes në pyetje ai është kthyer për në Serbi dhe nuk është lejuar që të futet në territorin e Kosovës.
Mësohet se Gouillon ideologjikisht i takon ekstremit të djathtë francez, me motive antiamerikane, anticioniste dhe anti-islame, rryma të cilat kanë gjetur përkrahjen e Vladimir Putinit në tërë Evropën.
Ndalimin dhe refuzimin e këtij personi e ka konfirmuar për KosovaPress edhe Policia.
“Mund të ju konfirmojmë se me vendim te institucioneve kompetente të Kosovës, është ndaluar një person dhe pas përfundimit të procedurave të parapara ligjore të njëjtit iu është refuzuar hyrja në Republiken e Kosovës”, ka thënë për KsoovaPress zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha pa dhënë më shumë detaje.
Mëson se Gouillon vepron në Kosovë që nga viti 2004, ndërsa ndihmat i sjellë përmes Kishës Ortodokse, e cila favorizohet të mos paguajë doganë.
Ai vite më parë ka krijuar një organizatë të quajtur “Solidaritet për Kosovë” e që ndanë ndihma për pakicat në Kosovë.
Serbo-francezi Arnaud Gouillon konsiderohet se punon kundër njohjes së shtetit të Kosovës si dhe njihet si një djathtist që ndihmën ndaj serbëve e keqpërdor për të arritur qëllimet e tij politike.
Identiteti medial i tij është prej humanisti, por përtej kësaj misioni i tij është në dëm të shteteve demokratike me orientim euro-atlantik. Lidhjet e tij me të djathtën ekstreme në Francë dhe rrjedhimisht lidhja e së djathtës ekstreme me pushtetin e presidentit të Rusisë Vlladimir Putin, e kanë bërë shtetasin francez njeri që kërcënon seriozisht Republikën e Kosovës.
Mësohet po ashtu se Gouillon ka kontakte edhe me zyrtarë rusë, ndërsa kohën e fundit ka qenë i ftuar në ambasadën e Federatës Ruse në Beograd.
Lidhjet e tij të tërthorta me Rusinë janë edhe përmes Philippe Vardon, i cili në zgjedhjet e fundit në Francë ishte në përkrahje të Marine Le Pen-it. Së bashku me të, ka të dhëna dhe dëshmi se ka qenë në ballë të demonstratave të marsit të vitit 2008, të cilat qenë organizuar me qëllim kundërshtimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Paris.
Njëherit, ndalimin e serbo-francezit Arnaul Guillon, e kanë përshëndetur edhe personalitete publike në Kosovë.
Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka thënë se Arnaud Gouillon, i ndaluar nga Policia e Kosovës, ishte një kandidat i grupit të bardhë supremacist “Bloc Identitaire”.
“Ai është i njohur si anti-semitist, anti-musliman dhe anti-ukrainas. Ai është një apolog rus dhe definitivisht nuk është humanitar. Shame on #Serbia për ta mbrojtur atë”, ka thënë ajo.
Edhe koordinatori për Sfidën e Mijëvjeçarit në Kosovë, Petrit Selimi ka thënë se Arnad Gouillon ishte kandidat i grupit supremacist të bardhë, deri sa ka shtuar se karakteri dhe veprimtaria e tij nuk kanë të ngjarë fare me atë të një humanisti.
“Arnaud Gouillon, i ndaluar nga Kosova, ishte një kandidat i grupit supremacist të bardhë famëkeq‘Bloc Identitaire’ për shpërndarjen e supës që përmban mish derri për të pastrehët, me qëllim që të përjashtonte myslimanët dhe hebrenjtë. Ai nuk është humanitar. Ai është një nga ata që mbanë ‘tiki torches’ (pishtar bambuje që nisi në kulturën e ashtuquajtur tiki)”, ka thënë Selimi.
Në youtube ende ndodhet një video ku shihet Gouillon në demonstratat kombëtare për Kosovën Serbe të mbajtura në mars të vitit 2008.