Zëvendëskryetari i PDK-së dhe zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj ka reaguar sot pas ftesës së Speciales për këshilltarin e presidentit Thaçi, Bislim Zyrapin dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, duke mos përmendur fare Ramush Haradinajn.
Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “dje, sot dhe nesër jemi me Jakup Krasniqin e Bislim Zyrapin të cilët do ta dëshmojnë, si përherë, pastërtinë e luftës”.
Postimi i plotë i Hoxhajt:
“Ka vetëm një krim që ka ndodhur në Kosovë.
Ka vetëm një agresor.
Ka vetëm një palë viktimë.
Ka vetëm një popull që ka luftuar për liri e pavarësi.
Ka vetëm një UÇK që ka bërë luftë të drejtë.
Dje, sot dhe nesër jemi me Jakup Krasniqin e Bislim Zyrapin të cilët do ta dëshmojnë, si përherë, pastërtinë e luftës.
Nuk ka barazim të krimeve të agresorit me viktimën”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”. Ai në fund tha se nuk ka barazim të krimeve të agresorit me viktimën.
Zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, dje ka shprehur keqardhje për dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kishte thënë se lufta e UÇK-së është e shenjtë dhe askush nuk mund ta cenojë pastërtinë e saj. /Telegrafi/