Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj theksoi se gjatë këtij takimi është diskutuar për dinamikën e re të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, derisa ka falënderuar ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
“Pata nderin ta pres në takim njoftues sot ambasadorin e ri të shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S. Kosnett. Ambasadorit i shpreha mirënjohjen për rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe mbështetjen e ShBA-së për Kosovën.
Diskutuam për përmbylljen e shtetndërtimit të Kosovës, dialogun me Serbinë, transformimin e FSK-së, si dhe sfidat me të cilat përballet rajoni aktualisht. Shpreha përkushtimin për thellimin e mëtejmë të miqësisë marrëdhënieve të shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Hoxhaj. /Telegrafi/