Telegrafi

Hoxhaj reagon pas dorëheqjes së Fetahut: Ishte kandidati më i mirë për kryetar të Podujevës

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj reagoi sot pas dorëheqjes së Naim Fetahut nga kryetari i degës së PDK-së në Podujevë, ndërsa tha se ishte kandidati më i mirë në zgjedhjet e fundit dhe garancia e vetme për zhvillimin e Podujevës.

Hoxhaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se llapjanët shumë shpejt do ta kuptojnë këtë.

“Sot, kam pranuar dorëheqjen nga posti i kryetarit të Degës së PDK-së në Podujevë, të mikut tim Naim Fetahut. Publikisht, e falënderoj Naimin për punën e tij të jashtëzakonshme në Podujevë. Pa dyshim, ai ishte kandidati më i mirë në zgjedhjet e fundit dhe garancia e vetme për zhvillimin e Podujevës.

Këtë, llapjanët do ta kuptojnë shumë shpejtë. Si profesionist, themelues i PDK-së në Podujevë, kontribues i proceseve politike në shumë nivele, nga ai lokal deri në atë qëndror, Naimi ka ditur gjithmonë të zgjedh interesat e qytetarëve në radhë të parë.

Naim, kryesi e degës dhe struktura faleminderit për angazhimin. Ju jeni pjesa më krenare dhe një aset i çmuar i partisë tonë.  Së bashku, do të angazhohemi edhe më shumë që ta kthejmë PDK-në si forca e parë politike në Podujevë dhe Kosovë, duke punuar në të mirë të popullit dhe shtetit”, shkruan Hoxhaj. /Telegrafi/