Site icon Telegrafi

Hoxhaj për dialogun: Nuk zgjidhet me konferenca për shtyp në Prishtinë, por me unitet në Bruksel (Video)

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, njëherësh edhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka folur rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe propozimit të draft-rezolutës nga pozita për këtë çështje.

Hoxhaj ka thënë se në këtë rezolutë janë të përfshira të gjitha shqetësimet dhe sugjerimet që janë paraqitur si nga pozita ashtu edhe nga opozita.

“Qasja jonë që ne ta kemi një projekt-rezolutë e cila do të krijonte një kornizë politike për konsensus politik është shumë serioze, unë jam njëri prej atyre që e ka hartuar tekstin kësaj rezolute dhe aty janë të integruara të gjitha pikëpamjet e të gjitha partive që jemi në Qeveri. Kjo rezolutë përfshinë të gjitha shqetësimet, sugjerimet, pikëpamjet që partitë politike në opozitë i kanë shprehur gjatë verës”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka shtuar se miratimi i kësaj draft-rezolute mbetet në vullnetin politik.

“Tash është punë e vullnetit politik, nëse ka vullnet politik ky dokument duhet dhe mund të miratohet nga të gjitha partitë politike. Ne duhet ta gjejmë konsensusin se si të hyjmë në dialog dhe ta kemi një delegacion i cili përfaqëson interesat e shtetit të Kosovës në dialog. Sesi do të duket marrëveshja e dialogut dhe epilogu, është herët të diskutohet, dhe pritja e parë që ka Kosova nga marrëveshja e dialogut është njohja nga Serbia”, shtoi Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka theksuar se sovraniteti dhe pavarësia e vendit janë të paprekshme.

“Sovraniteti, integriteti territorial i vendit, Pavarësia e vendit janë të paprekshme janë vija të kuqe dhe të gjitha këto janë të përfshira në draft-rezolutën të cilën e kemi prezantuar”, shoti Hoxhaj.

Duke folur rreth deklaratave të kundërta mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj rreth çështjes së korrigjimit të kufijve, Hoxhaj ka thënë se kjo punë nuk zgjidhet me konferenca për shtyp.

“Ne duhet të shkojmë me çdo kusht të dialog dhe të përgatitemi për dialog dhe të arrijmë një marrëveshje që i mbron interesat bazike të shtetit të Kosovës, dhe unë mendoj se kjo çështje nuk mund të zgjidhet me konferenca për shtyp në Prishtinë, kjo mund të zgjidhet me unitet dhe qartësi në Bruksel”, shtoi Hoxhaj.

Ai theksoi se procesi i dialogut duhet të përmbyllet dhe gjatë viteve 2018-2019 Kosova duhet ta përmbyll shtet-ndërtimin që e kemi nisur në 2008, ta kompletojmë sovranitetin e Kosovës dhe ta kemi një marrëveshje e cila e mbron ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Hoxhaj shtoi se Bashkimi Evropian nuk ka kohë që ta pres spektrin politik në Kosovë deri sa të jenë unik rreth çështjes së dialogut. /Telegrafi/

Exit mobile version