Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj përmes një shënimi në Facebook është shprehur edhe njëherë se PDK nuk jep votën për Vjosa Osmanin.
Hoxhaj thotë se Osmani është treguar një figurë përçarëse dhe si e tillë nuk është e denjë për pozitën e presidentes.
“Partia Demokratike e Kosovës nuk ka votë për Vjosa Osmanin për presidente të ardhshme të Kosovës. Ajo është treguar një figurë përçarëse, aspak përbashkuese dhe nuk e përfaqëson unitetin e popullit. Duke qenë e motivuar partiakisht dhe që përfaqëson interesat e vetëm një partie dhe liderit të saj, znj. Osmani nuk mund të jetë aspak e denjë për pozitën e presidentes”.
Hoxhaj thotë se PDK-ja nuk do ta tradhtoj besimin e votuesve të saj dhe do të qëndrojë në opozitë.
“PDK-ja nuk do ta tradhtoj besimin e votuesve të saj. Ne jemi partia e vetme në opozitë që do ta ballafaqojmë deri në fund pushtetin e ri, do t’i përfaqësojmë qytetarët e Kosovës dhe do ta mbajmë përgjegjëse për çdo premtim e vendim. PDK sikurse e kemi thënë gjatë zgjedhjeve, do të jetë fronti i vetëm politik në Kosovë kundër boshtit populist të përfaqësuar nga z. Kurti”, shkroi më tej Hoxhaj./Telegrafi/