Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se askush nuk duhet të mendoj se PDK do të shfaqet në seancën e Kuvendit të Kosovës për ta zgjedhur dikë president pa biseduar fillimisht.
Ai ka thënë se fillimisht duhet të ulen në tavolinë për bisedime, pasi ata nuk do të shfaqen në seancën për zgjedhjen e presidentit pa diskutuar paraprakisht.
Po ashtu, Hoxhaj tha se ata nuk shantazhohen me idenë për zgjedhje të parakohshme.
“Ne jemi parti që beson në demokracinë koncensuale, dhe nëse dikush mendon se ne do të shfaqemi në seancë për ta votuar kandidaten apo kandidatin [për president pa konsulta paraprake, mendoj që gabon shumë, sepse nuk do të ndodhë. Nuk lejojmë që askush ta merr nëpërkëmbë vullnetin e votuesve të PDK-së. Në një plan më praktik edhe nëse do të ishte kandidati i PDK-së, debati do të ishte brenda grupin parlamentar. Pa dialog, pa konsulta nuk do të ndodh. Nuk shantazhohet PDK-ja me idenë e zgjedhjeve të parakohshme”, tha Hoxhaj në T7.