Telegrafi

​Hoxhaj: Masakra e Reçaku ngriti ndërgjegjen e botës

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se maskara e Reçakut e ka lëvizur ndërgjegjen e botës për të intervenuar në Kosovë.

Por ka theksuar se askush nuk e ka menduar që dy dekada pas kësaj ngjarje do të jenë pa ish krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Hoxhaj i cili është edhe kandidat i PDK-së për kryeministër, pas homazheve që bëri në nderim të viktimave të Reçakut tha se 5 nëntori i vitit 2020 ka cenuar dinjitetin e secilit qytetar.

“Një ngjarje që lëvizi ndërgjegjen e botës, si rezultat i kësaj ndodhi edhe intervenimi i NATO-së në Kosovë. Natyrisht ne jemi këtu pas 21 vitesh ku Kosova është e lirë dhe e pavarur dhe e nderojmë këtë ngjarje. Por asnjëherë nuk e kemi menduar se pas 21 vitesh ne do të jemi në Reçak pa kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, presidentin Hashim Thaçi, pa Jakup Krasniqin, pa Rexhep Selimin, pa liderët e UÇK-se dhe pa liderët e PDK-së, të cilët në mënyrë të padrejtë po përballen me këtë gjykatë. Ne jemi të sigurt se do të kthehen fitimtarë dhe do të jenë faqebardhë. Ju duhet ta dini dhe çdo kush që është evropian dhe perëndimor që ata nuk janë në gjykatë si emra dhe mbiemra të përveçëm, por në gjykatë është kauza jonë për liri. Në gjykatë është rruga jonë e vështirë drejtë lirisë, atje është ekzistenca jonë si shtet”, tha ai.

E kryetari i Shtimes, Naim Ismajli tha se fshati Reçak tregon më së miri se kush e ka vendin për tu gjykuar në Hagë.

“Më së miri tregon Reçaku se kush duhet të ketë vendin në Hagë, më së miri tregon Reçaku se ndaj kujt duhet të ngritën aktakuzat “, tha ai.